Migrimet e fëmijëve në Amerikën Latine, shifrat më të larta në histori
Mbi 60 mijë fëmijë kanë migruar në rrugë të rrezikshme brenda amerikës latine, në 7 muajt e parë të 2023.
Shifra më e lartë se çdo vit tjetër në histori, bëri të ditur UNICEF.
Numri rekord i këtyre lëvizjeve nxitet nga dhuna e bandave, varfëria, paqëndrueshmëria dhe ndryshimet klimatike, shpjegon Organizata e OKB për fëmijët.
Të miturit nën 11 vjeç përbëjnë 91% të të gjithë fëmijëve që lëvizin nëpër pikat kryesore të tranzitit në rajon, vijon raporti, duke shtuar se ritmi i tyre po vjen duke u shtuar.
Organizata e Kombeve të Bashkuara ka arsyetuar se kur ata kalojnë disa vende dhe nganjëherë të gjithë rajonin, mund të bien pre e abuzimeve, sëmundjeve, dëmtimeve, ndarjes nga familja dhe e ardhmja e tyre rrezikohet edhe nëse mbërrijnë në destinacion.
Në nivel global, fëmijët përbëjnë rreth 13% të popullsisë emigrante, por 25% në Amerikën Latine dhe Karaibe, përqindja më e lartë në botë.
Sipas UNICEF, të vegjlit shpesh kalojnë nga ‘Darien Gap’, një rrugë kryesore migrimi rreth 106 km përmes xhunglës, që lidh Amerikën Jugore me atë Qendrore.
‘Kjo kërkon urgjentisht një përgjigje më të fortë humanitare, si dhe zgjerimin e rrugëve të sigurta dhe të rregullta të migrimit për fëmijët dhe familjet për të ndihmuar në mbrojtjen e të drejtave dhe të ardhmes së tyre, pavarësisht se ku ndodhen’, apelojnë organizatat për të drejtat e njeriut.
Pothuajse 250 mijë njerëz migruan me shpresën për të arritur në SHBA në vitin 2022, të nxitur nga fatkeqësitë ekonomike dhe humanitare, gati dyfishi i shifrave të një viti më parë, dhe 20 herë më shumë se mesatarja vjetore nga 2010 në 2020
