Di Biagio beson te Dinamo: Kundër Tiranës nis një rrugëtim i ri dhe i vështirë
Të dielën në orën 20:00, Dinamo do të sfidojë Tiranën në Elbasan për sfidën debutuese të sezonit të ri në Kategorinë Superiore. Trajneri Luiggi di Biaggio beson se skuadra i ka kapacitetet për të bërë një start pozitiv dhe premton një grup të bashkuar që në ndeshjen e parë kundër bardhebluve.
Luigi Di Biagio:
“Do të shohim menjëherë në çfarë pike jemi. Tirana është një skuadër e madhe, me një trajner të madh dhe lojtarë cilësorë. I kam parë të luajnë dhe janë shumë të fortë, ndaj të shohim si do të përballemi me ta.
Natyrisht që nuk mund të konkurrojmë për vendet e para në këto momente, por skuadra është në rritje dhe më takon mua t’i bëj të luajnë mirë dhe të arrijnë rezultate të rëndësishme. Janë disa skuadra, që sot për sot janë më të forta se ne. Megjithatë unë shoh një skuadër që po rritet shumë dhe nëse më bën të njëjtën pyetje pas dy muajsh, mund të flasim në mënyrë tjetër. Objektivi i parë është të rritemi dhe të pozicionohemi në vendet e para, por të jemi objektivë, ka skuadra më të forta”.
Gjithnjë ka mundësi dhe duhet të përmirësohemi, ndaje nëse do të ketë nevojë, drejtuesit janë gati të më kënaqin. Për momentin do të punojmë me këtë organikë. Jemi duke pritur edhe ndonjë lojtar tjetër, por jam i vetëdijshëm për problemet që kemi”.


