Guterres: Ndarja ndërkombëtare e pushtetit e vjetëruar

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres në kuadër të samitit të BRICS në Johanesburg është shprehur për një reformë të institucioneve multilaterale. Strukturat globale në fuqi në pjesën më të madhe janë krijuar pas Luftës së Dytë Botërore, tha Guterres duke iu referuar forumeve të tilla si Këshilli i Sigurimit të OKB-së, Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar.

Shumë vende afrikane asokohe sundoheshin prej fuqive koloniale. Që institucionet multilaterale të mbeten universale, ato duhet të reformohen. Gjithnjë e më shumë shtete duan të bashkohen me grupin BRICS.

“Ne jemi duke lëvizur drejt një bote multipolare dhe kjo është një gjë pozitive”, tha Guterres pak pasi u deklarua që grupi i vendeve më të rëndësishme në ekspansion BRICS do të pranojë në radhët e veta nga 1 janari 2024 edhe gjashtë vende të tjera anëtare: Arabinë Saudite, Iranin, Emiratet e Bashkuara Arabe, Argjentinën, Egjiptin dhe Etiopinë.

Sipas ministritt ë Jashtëm të Afrikës së Jugut, Naledi Pandor, së fundi më shumë se 40 shtete kanë shprehur interes për antarësimin në BRICS. Kjo aleancë e konsideron veten si një kundërpeshë ndaj kombeve të industrializuara perëndimore dhe ndër të tjera synon që të pakësojë dominancën e dollarit në sistemin global të financave.

Një rikonceptim i arkitekturës globale të financave aktualisht e vjetëruar dhe jofunksionale është e domosdoshme, tërhoqi vëmendjen Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së. “Kjo kërkon guxim për kompromise, që vendet afrikane mesatarisht paguajnë katër herë më shumë për kreditë se sa SHBA dhe tetë herë më shumë se vendet e pasura europiane”, tha Guterres dhe bëri thirrje për zhvillimin e një mekanizmi efikas për shlyerjen e borxheve.

Guterres kërkoi gjithashtu respektimin pakufizim të Kartës së OKB-së, të të drejtave të njeriut dhe të së drejtës ndërkombëtare.