“Një formë lufte kundër botës islame”: Teherani paralajmëron Suedinë dhe Danimarkën për përdhosjen e Kuranit

Ministria e Jashtme e Iranit ka thirrur ambasadorët e Suedisë dhe Danimarkës në Teheran për të protestuar kundër përdhosjes së Kuranit në të dy vendet, njoftoi të dielën agjencia zyrtare e lajmeve IRNA.

Drejtori i departamentit të të drejtave të njeriut në ministri dënoi “vazhdimin  e akteve të pacipë dhe të neveritshme” të fyerjes së librit të shenjtë mysliman në dy vendet evropiane, njoftoi agjencia shtetërore e lajmeve IRNA.

Zyrtari iu referua deklaratës së fundit të liderit suprem të Iranit Ayatollah Ali Khamenei se “përkrahja e kriminelëve dhe përdhosjes së Kuranit të Shenjtë është një formë lufte kundër botës islame”.

Ai tha se liria e shprehjes vjen me “detyra dhe përgjegjësi të caktuara”, duke u kërkuar të dërguarve të “respektojnë detyrimet ndërkombëtare bazuar në nenet 19 dhe 20 të Paktit Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike”.

Djegiet e kopjeve kanë ndodhur gjatë verës në Suedi dhe Danimarkë, me qeveritë e dy vendeve nordike që po shqyrtojnë masa ligjore për të frenuar veprime të tilla në një përpjekje për të de-përshkallëzuar tensionet me shumë vende myslimane.

Demonstratat anti-islamike ndezën një valë protestash dhe tensionesh diplomatike me Lindjen e Mesme. Stokholmi dhe Kopenhaga i kanë dënuar këto akte, por tani për tani nuk mund t’i ndalojnë sepse bien nën ligjet e lirisë së shprehjes.