Zbulohet dhoma e gjumit e skllevërve në Pompein e lashtë, zbulimi hedh dritë mbi statusin e tyre

Arkeologët kanë zbuluar një dhomë të vogël gjumi në një vilë romake pranë Pompeit e cila me siguri përdorej nga skllevërit. Zbulimi hedh dritë mbi statusin e tyre të ulët në lashtësi.

Dhoma u gjet në vilën Civita Giuliana, rreth 600 metra në veri të mureve të Pompeit, qytet i cili u shkatërrua nga një shpërthim vullkanik i malit Vezuv gati 2 000 vjet më parë. Dhoma përmbante dy shtretër, vetëm njëri prej të cilëve kishte një dyshek, dy dollapë të vegjël dhe një sërë urnash dhe enësh qeramike, në të cilat u gjetën mbetjet e 3 minjve.

“Këto detaje nënvizojnë edhe një herë kushtet e pasigurisë dhe higjienës së dobët në të cilën jetonin shtresat e ulëta të shoqërisë gjatë asaj kohe” – thuhet në një deklaratë të ministrisë italiane të kulturës. Nuk kishte gjurmë grilash, bravash apo zinxhirësh të përdorur për të mbajtur banorët e dhomës.

“Duket se kontrolli ushtrohej kryesisht përmes organizimit të brendshëm të shërbëtorëve në vend të barrierave apo kufizimeve fizike” – thotë Gabriel Zuchtriegel, drejtori i Parkut Arkeologjik të Pompeit. Gërmimet në vilën Civita Giuliana u kryen në vitet 1907 – 1908, si dhe përsëri në vitin 2017 kur policia zbuloi se vendi po plaçkitej nga gërmuesit e paligjshëm.

Arkeologët thanë se një pjesë e një prej shtretërve ishte shkatërruar nga një tunel i përdorur nga grabitësit për të hyrë në një pjesë tjetër të vilës. Mali Vezuv shpërtheu në vitin 79 pas Krishtit, duke vrarë mijëra romakë që nuk e kishin idenë se jetonin nën një nga vullkanet më të mëdhenj të Evropës.

Shpërthimi e varrosi qytetin nën një shtresë të trashë hiri, por duke ruajtur për shekuj shumë nga banorët dhe ndërtesat e tij.