Nikollë Lesi “ndërron prefiks”/ Gazetari dhe botuesi i njohur feston sot 60-vjetorin e lindjes
Nikollë Lesi, gazetari dhe botuesi i njohur feston sot 60-vjetorin e lindjes.
Dhe ashtu siç e thotë dhe vetë në rrjetet sociale, këtë të dielë ai është përballur me ndërrimin e “prefiksit” për herë të gjashtë në jetën e tij, por ajo që nuk ndryshon është sensi i humorit të këtij njeriu që lidhet me shtypin e lirë dhe padyshim me gazetën e parë të pavarur në Shqipëri, “Koha Jonë”.
“Sot në ora 00.01 më ndërroi "prefiksi", kaloi me 6! Po ikin vitet...”, shkruan Nikolla shkurtimisht, por duke i thënë të gjitha.

Nikoll Lesi dhe "Koha Jonë"
Historia nis aty, në qytetin e Lezhës. Ndoshta jo rastësisht, pikërisht në atë truall ku zëfillet e para besëlidhje e kryezotëve në 2 marsin e vitit 1444, aty ku ngjizet vetëdija e Arbrit dhe bashkohen në një besë e një qëllim krejkah dalëzotësit i bashkon Skënderbeu, i bën grusht gjaku dhe amaneti i të parëve.
Është 11 maji i vitit 1991 kur erdhi në jetë ai zë që do të shkruante historinë, ajo e gjallë që do t'i jepte jetë zjarrit që do të kalitte flakën.
Në stuhinë e jetëve të udhëkryqta të Shqipërisë në tranzicion, para këtij përcaktimi historik dhe më pas, emri i Nikoll Lesit sinjifikon "Koha Jonë" dhe "Koha Jonë" merr kuptim vetëm me këtë emër.
Si çdo përpjekje, edhe kjo e shndërroi mësuesin e fizikës, Nikoll Lesi në një rinok "kokëkrisur", që po bënte më shumë atë që ndjente se sa atë që duhej, dhe po e bënte siç vetëm ai dinte, me turr e me zjarr.
Me shtetin që i ishte vënë nga pas këmba-këmbës, vështirësitë dhe pamundësitë që kalitnin këtë shpirt sakrifice, ai i bëri ballë të gjithave; shantazhit, prapaskenave, sulmeve shtetërore, proceseve të montuara politike, dhunës barbare, djegies dhe denigrimit, për të mbetur po ai qëndrestari dhe vrullëtari i hoveve filluese.
Sikur gjithçka të ndalet këtu, "Koha Jonë", ishte dhe do të mbetet shembull frymëzimi dhe mëkues i ëndërrtarëve dhe idealistëve.
"Koha Jonë" e ka endur pëlhurën e atij flamuri që u valvit në ciklonin e kapërcyellit të kohërave, u mbajt në gjoksin e zelltarëve, u ruajt në sirtarët e kujtesave, u përdor si rekomandim dhe si pasaportë, e pse jo edhe u harrua pikërisht nga ata, nga ata të cilët sa herë t'u volitej në qëllimet e tyre personale, nuk hezituan dhe ngurojnë ta tundin si flamurin e fitoreve të tyre. Por ai që e mbajti në tym dhe në flakë, e mban në rrebesh dhe vërshim, është Nikoll Lesi.
Më shumë se si një e mundshme përfitimesh, ai e ushqeu dhe e rriti, siç bëri dhe vijon të bëjë, që ky emër i rëndësishëm i medias në Shqipëri, të jetojë edhe sot, gjithnjë mes të pamundurash dhe sfidash të ethshme.
Redaksia e “Ora News” bashkohet me gëzimin e tij dhe i uron Nikollë Lesit jetë të gjatë e shëndet.




