Arrestohet ish-drejtori i Policisë malazeze, pjesë e një organizate kriminale
Ish-drejtori i Policisë së Malit të Zi Veselin Veljoviq është arrestuar të hënën, ka thënë prokuroria Speciale e Shtetit atje.
Ndaj ish-zyrtarit të lartë malazez dhe tre personave të tjerë janë ngritur akuzat se kanë kryer veprat penale të krijimit të organizatës kriminale, keqpërdorimit të pozitës zyrtare dhe kontrabandës.
Veljoviq ka mbajtur poste kyçe policore gjatë qeverisjes së Partisë Demokratike të Socialistëve të ish-presidentit malazez Milo Gjukanoviq.
Gjithashtu u tha se arrestimit i ka paraprirë kontrolli i policisë në banesat dhe lokalet e tjera të të dyshuarit.
Prokuroria Speciale atje konfirmoi se Dëshmitë kundër tyre janë mbledhur edhe në bashkëpunim me Agjencinë e Bashkimit Evropian për Bashkëpunim të Autoriteteve të Zbatimit të Ligjit – EUROPOL.
Paraprakisht, Prokuroria Speciale kishte njoftuar se banesat e disa personave janë duke u bastisur në Podgoricë, Nikshiq, Zhabljak dhe Mojkovc.
Arrestimin e ish-kryepolicit e ka komentuar edhe kryeministri Dritan Abaziç, i cili ka thënë se “Dora e drejtësisë më në fund ka arritur Veselin Veljoviq”.
Abazoviç e ka lavdëruar prokurorinë speciale për këtë arrestim, edhe pse tre ditë më parë ai akuzoi Prokurorinë e Shtetit se “nuk kishte guxim të godiste majën e piramidës kriminale”.
Veljoviq ka qenë drejtor i Policisë, pas pavarësisë së Malit të Zi, nga viti 2007 deri në vitin 2011 dhe nga mesi i vitit 2018 deri në fund të vitit 2020.
Ndërmjet këtyre dy mandateve ai ka qenë këshilltar i presidentit të atëhershëm të Malit të Zi, Filip Vujanoviq, në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, ndërsa gjatë qeverisjes së Millo Gjukanoviqit, nga viti 2014, ka qenë edhe sekretar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare.
Nga fundi i vitit 2020, pas ndërrimit të qeverisë në Mal të Zi, ai ishte këshilltar për siguri dhe mbrojtje i ish-presidentit Milo Gjukanoviq deri më 20 maj të këtij viti.
