Zelensky i kërkon Erdogan ndihmë për eksportin e grurit nga Deti i Zi
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky foli me telefon me homologun e tij turk Rexhep Tajip Erdogan të premten në një përpjekje për të gjetur një mënyrë për të rivendosur Iniciativën e Detit të Zi që do të lejonte vazhdimin e eksporteve të grurit, disa ditë pasi Rusia u tërhoq nga marrëveshja.
“Hapja e korridorit të grurit është një përparësi kryesore,” tha Zelensky pas telefonatës së tij me Erdogan. “Së bashku duhet të parandalojmë një krizë globale ushqimore”, nënvizoi presidenti i Ukrainës.
Tërheqja e Rusisë nga marrëveshja çoi në një bllokadë të përtërirë detare të porteve ukrainase në Detin e Zi të hënën. Moska paralajmëroi gjithashtu se të gjitha anijet e destinuara për në portet e Ukrainës do të konsideroheshin transportues të mundshëm të ngarkesave ushtarake.
“Për shkak të veprimeve të Rusisë, bota është sërish në prag të një krize ushqimore. Gjithsej 400 milionë njerëz në shumë vende afrikane dhe aziatike janë të kërcënuar nga uria", tha Zelensky.
Marrëveshja e nënshkruar në korrik 2022 , e ndërmjetësuar nga Turqia dhe OKB-ja, lejoi eksportet e drithit dhe produkteve bujqësore ukrainase nga portet e Detit të Zi.
Fillimisht e vlefshme për 120 ditë, ajo u rinovua në nëntor për 120 ditë të tjera, dhe në maj Rusia ra dakord të zgjasë marrëveshjen me 60 ditë.
Më 17 korrik, Moska pezulloi pjesëmarrjen e saj, duke njoftuar se do të rishikonte qëndrimin e saj nëse merrte garanci në lidhje me eksportet ruse të grurit dhe plehrave.



