Studimet që mbikëqyrte i kushtojnë dorëheqjen presidentit të Universitetit të Stanfordit
Pas disa muajsh shqyrtimi intensiv të punës së tij shkencore, Marc Tessier-Lavigne njoftoi se do të japë dorëheqjen si president i Universitetit të Stanfordit, sipas “The New York Times”.
Një rishikim i pavarur i kërkimit të tij, zbuloi të meta thelbësore në studimet që ai mbikëqyri për dekada.
Rishikimi, i kryer nga një panel i jashtëm shkencëtarësh, hodhi poshtë pretendimin më serioz që përfshin punën e Dr. Tessier-Lavigne se një studim i rëndësishëm i Alzheimerit i vitit 2009 ishte objekt i një hetimi që zbuloi të dhëna të falsifikuara, dhe që Dr. Tessier-Lavigne i kishte mbuluar ato.
Paneli arriti në përfundimin se pretendimet, të publikuara në shkurt nga “The Stanford Daily”, gazeta e kampusit, ishin të gabuara dhe se nuk kishte prova të të dhënave të falsifikuara, ose se Dr. Tessier-Lavigne ishte përfshirë në mashtrim.
Por, rishikimi zbuloi gjithashtu se studimi i vitit 2009, i kryer kur ai ishte shefi ekzekutiv në kompaninë bioteknike “Genentech”, kishte probleme të shumta dhe ishte nën standardet e zakonshme të ashpërsisë dhe procesit shkencor, veçanërisht kur bëhej fjalë për një dokument me pasoja të tilla të mundshme.
“Unë pres që të ketë diskutime të vazhdueshme rreth raportit dhe konkluzioneve të panelit, të paktën në një afat të afërt, gjë që mund të çojë në një debat për aftësinë time për të udhëhequr universitetin në vitin e ri akademik”, tha në një deklaratë Dr. Tessier-Lavigne që përshkruan arsyet e dorëheqjes së tij.
