"Ferr" në Spanjë, 2 mijë persona të evakuuar nga ishulli La Palma
Të paktën 2 mijë persona janë evakuuar nga ishulli spanjoll La Palma, pasi ky i fundit është përfshirë nga flakët.
Zjarri masiv ka rënë mëngjesin e të shtunës dhe ka përfshirë rreth 5 mijë hektarësh, duke djegur edhe dhjetëra banesa.
Fatmirësisht, deri tani nuk raportohet për viktima.
Rreth 400 trupa nga agjenci të ndryshme janë në terren në ishujt kanarie, në përpjekje për të shuar flakët. Ushtria spanjolle ka dërguar 150 zjarrfikës të saj për të ndihmuar ekuipazhet lokale dhe helikopterë janë vënë në dispozicion për të vënë nën kontroll zjarrin në ishull që duket se ka dalë jashtë kontrollit.
Zyrtarët thonë se flakët po favorizohen nga era dhe temperaturat e larta dhe po përhapen me shpejtësi.
Zjarri vjen vetëm pak kohë pas fatkeqësisë natyrore të vitit 2021 kur ndodhi një shpërthim vullkanik. Në atë kohë më shumë se 2000 ndërtesa u shkatërruan dhe mijëra njerëz u detyruan të largoheshin nga shtëpitë e tyre. Hiri e mbuloi ishullin për muaj të tërë derisa shpërthimi përfundoi fillim të dhjetorit.
Sipas të dhënave nga Sistemi Evropian i Informacionit në vitin 2022 në spanjë u shënuan gati 500 raste të zjarreve, të cilat përfshinë më shumë se 300 mijë hektarë.
Deri më tani këtë vit, sipas të dhënave të fundit të Sistemi Evropian i Informacionit për Zjarret në Pyje, 66 mijë hektarë tokë të tjerë janë djegur nga zjarri në Spanjë.