A do ta lëshojë Kuvendi Ahmetajn te SPAK-u? Sot seanca për kërkesën e arrestimit të tij
Konferenca e Kryetarëve e mbledhur dje në Kuvendin e Shqipërisë vendosi që seanca e posaçme për vlerësimin e kërkesës së Prokurorisë Speciale Antikorrupsion për arrestimin e deputetit Arben Ahmetaj, do të zhvillohet sot në ora 10:00.
Ndryshe nga sa ndodhi të mërkurën, kur Këshilli i Mandateve, Imunitetit, Rregullores dhe Legjislacionit, vendosi që seanca e posaçme të mbahej pasditen e të hënës, pas insistimit të opozitës në seancën e djeshme parlamentare, Konferenca e Kryetarëve ka vendosur që Kuvendi të mblidhet në seancë të posaçme sot në ora 10:00.
Sipas vendimit të marrë dje nga Konferenca e Kryetarëve, opozita dhe mazhoranca do të paraqesin sot gjatë seancës së posaçme plenare raportet e tyre mbi kërkesën e SPAK.
Partia Demokratike e ka depozituar raportin e saj, ku kërkon që Kuvendi t’i hapë rrugën SPAK-ut për kontrollin e banesës dhe arrestimin e ish zv/kryeministrit Arben Ahmetaj. Mazhoranca nga krahu tjetër do ta paraqesë sot raportin e saj mbi kërkesën e SPAK.
Ish zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj akuzohet për korrupsion, fshehja apo mosdeklarim të pasurive dhe pastrim parash.
Ndaj tij rëndojnë disa akuza në hetimet për incineratorëve, u largua nga vendi pak orë përpara se Prokuroria të formulonte kërkesën drejtuar parlamentit.
Hetimet nxorën në pah lidhjet e tij të afërta ngushta me dy sipërmarrësit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, përfituesit e koncesioneve të trajtimit të mbetjeve në Elbasan, Fier e Tiranë.
Avokatët e tij janë shprehur kundër kërkesave për arrestim dhe kontroll të banesës, ndërkohë që vetë Ametaj gjendet jashtë Shqipërisë, por nuk dihet me siguri se ku.
