Ukraina më pranë se kurrë NATO-s, Stoltenberg: Kievi do të ulet në tryezë si i barabartë

Ukraina është më pranë NATO-s  e kurrë më parë, kjo është deklarata e sekretarit të përgjithshëm të Aleancës Euro-Atlantike, Jens Stoltenberg.

Në daljen për mediat para këshillit të përbashkët NATO-Ukrainë, Stoltenberg u shpreh se përfaqësuesit e Kievit do të ulen në tryezë si të barabartë.

Edhe pse destinacioni final i Ukrainës duket se është anëtarësimi NATO, një gjë e tillë nuk duket se do të ndodhë para përfundimit të luftës.

Edhe pse i vetëdijshëm për këtë fakt, presidenti ukrainas u shpreh se ftesa për anëtarësim do të ishte ideale.

“I kuptoj ata që nuk dëshirojnë të flasin për interesimin e Ukrainës në NATO, pasi askush nuk dëshiron një luftë botërore”, u shpreh ai, duke shtuar se e rëndësishme është dërgohen sinjalet e duhura.

Gjatë fjalës së tij, ai falenderoi të gjitha shtetet të cilat kanë kontribuuar në forma të ndryshme për t’i bërë ballë ushtrisë ruse.

Zelenski ka garantuar edhe njëherë se bombat thërrmuese do të përdoren vetëm për çlirimin e vendit, duke argumentuar se Rusia ka përdorur armë shkatërruese që nga dita e parë e pushtimit.

Në Vilnius, Zelenski pritet të zhvillojë edhe një takim të veçuar me presidentin Joe Bidenin dhe udhëheqës të tjerë perëndimorë, përfshi kryeministrin britanik Rishi Sunak dhe kancelarin gjerman Olaf Scholz në Vilnius.

Në përfundim të samitit dyditor, pritet që fuqitë perëndimore të shpallin një marrëveshje sigurie për Kievin.