Stuhia e rrallë godet Holandën, anulohen disa fluturime

Një stuhi me shpejtësi deri në 120 kilometra në orë goditi Holandën duke ndaluar fluturimet në aeroportin Schiphol të Amsterdamit.

U raportuan gjithashtu për kamionë që u përmbysën mbi autostrada duke shkaktuar bllokime masive të trafikut.

Shërbimet hekurudhore u ndalën gradualisht në veri të vendit. Autoritetet e transportit paralajmëruan shoferët e mjeteve që të mos lëviznin në autostrada, sepse erërat e forta shtynin kamionët dhe shkulnin pemët.

Shërbimi i motit priste shpejtësi të erës nga 100 deri në 120 kilometra në orë, me alarm të kuq në veri.

Pati probleme të rënda në aeroportin Schiphol të Amsterdamit, i cili e përshkroi situatën si “të rrezikshme, për shkak të degëve në rrugë, shpërthimeve të forta të erës dhe shiut të dendur.

Trafiku i trenave për në qendër u pezullua.

“Trafiku ajror do të jetë “shumë i kufizuar”, tha aeroporti.

Disa fluturime në mbërritje dhe nisje janë anuluar ose vonuar.