Studimi gjerman: Pothuajse gjysma e telefonave celularë të vjetër nuk riciklohen

Një studim i ri gjerman ka zbuluar se 43% e të gjithë smartfonëve të hedhur nuk riciklohen.

Studimi, i kryer nga organizata e industrisë gfu Consumer & Home Electronics dhe firma konsulente Oliver Wyman në maj 2023, anketoi mbi 1 000 konsumatorë në Gjermani dhe 400 konsumatorë secili në Francë dhe Britani.

”Në rastin e pajisjeve të kuzhinës, makinave larëse dhe elektronikës së konsumit, vetëm një e treta e stokut të vjetër nuk riciklohet”, sipas studimit.

Shoqata e industrisë së Gjermanisë fajësoi mungesën e njohurive për opsionet ekzistuese dhe të qëndrueshme të kthimit.

40% e gjermanëve thanë se ”nuk e dinin se mund t’i kthenin pajisjet e tyre të vjetra te tregtarët dhe tregjet e specializuara edhe nëse nuk i kishin blerë atje”, ndërsa 70% e të anketuarve ”nuk e dinin se kjo e drejtë kthimi vlen për shumë supermarkete dhe prodhues”.

Vetëm një në katër ishin në dijeni të së drejtës për t’i kthyer pajisjet e hedhura te shitësit online.

“Ka një mungesë të dukshme të njohurive praktike kur bëhet fjalë për produktet teknike të përdorura,” tha Sara Warneke, drejtore menaxhuese e gfu.

Sondazhi zbuloi se ka boshllëqe të mëdha në njohuritë për riciklimin elektronik, veçanërisht në mesin e të rinjve.

Vetëm çdo i dyti i rritur nën 35 vjeç di si të riciklojë një pajisje të madhe kuzhine, për shembull. Në të kundërt, shifra është 81% tek ata mbi 55 vjeç.