Marrëveshja e drithit mund të prishet, Rusia paralajmëron se mund të ndalojë importet e Ukrainës
Bota mund të haste me një tjetër krizë drithërash, nëse Rusia do të ndalojë importin ukrainas. Moska ka paralajmëruar se nuk do ta rinovojë marrëveshjen e arritur 1 vit më pare, me argumentin se këto produkte nuk po shkojnë për vendet në nevojë, por tek vendet e zhvilluara
Rusia paralajmëron fundin e marrëveshjes së drithit në Detin e Zi, duke thënë se nuk ka asnjë bazë për rinovimin e saj.
Kjo marrëveshje u arrit korrikun e kaluar me ndërmjetësimin e OKB-së dhe Turqisë, dhe pritet të përfundojë më 17 korrik.
Qëllimi i saj ishte garantimi i kalimit të sigurt për anijet që transportonin grurë nga Ukraina për vendet në nevojë në Afrikë, Azi dhe Amerikën Latine.
Rusia kishte bllokuar eksportet ukrainase të grurit nga portet kryesore të Detit të Zi, dhe mund të çonin në një grizë globale pasi Ukraina është një nga eksportuesit kryesorë të grurit në botë.
Ky ishte pakti i vetëm i arritur mes dy vendeve, që nga fillimi I luftës. Për herë të fundit, afati I kësaj marrëveshje u shty me dy muaj në maj të këtij viti.
Sipas Rusisë, nuk ka arsye për vazhdimin e mëtejshëm të iniciativës së Detit të Zi pasi tashmë është kthyer në një eksport thjesht komercial të produktit ukrainas në vendet e zhvilluara.
Në një deklaratë, ministria e jashtme ruse gjithashtu ka kritikuar refuzimin e Perëndimit për të lehtësuar sanksionet ndaj Rusisë.
Ndërsa lufta vijon, Kremlini akuzon Kievin për sulm terrorist pasi ministria ruse e mbrojtjes pretendon se ka rrëzuar 5 dronë ukrainas në Moskë.
Nga ana tjetër, sipas autoriteteve ukrainase, dhjetra persona u plagosën në një sulm rus në rajonin e Kharkiv, ndërsa dy persona u vranë në Kherson.
