Kuleba: Anëtarësimi i Ukrainës në NATO rruga drejt paqes në Evropë

Kryediplomati i Ukrainës tha se Kievi po lufton paragjykimet dhe keqkuptimet afatgjata në lidhje me pasojat e anëtarësimit të vendit të tij të shkatërruar nga lufta në NATO dhe kritikoi ish-kancelaren gjermane për bllokimin e një oferte 15 vjet më parë.

”Anëtarësimi në NATO nuk do të çonte në një luftë tjetër ose më të madhe me Rusinë”, tha ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba në një intervistë të përbashkët me ”Politico” dhe gazetat gjermane ”Bild” dhe ”Die Welt”.

”Përkundrazi, anëtarësimi në NATO ishte rruga drejt paqes sepse Rusia nuk do të guxonte të sulmonte përsëri Ukrainën pasi të ishte anëtare e aleancës së mbrojtjes perëndimore”, tha Kuleba.

”Ukraina më pas do ta lironte NATO-n nga detyra e mbrojtjes së krahut të saj lindor. Ne do ta merrnim këtë barrë mbi supet tona”, theksoi ai.

Sipas Kulebas, Ukraina nuk pret të anëtarësohet në NATO, ndërkohë që lufta është ende në vazhdim.

”Por, pas luftës, do të ishte vetëvrasje që Evropa të mos e pranonte Ukrainën si anëtare të NATO-s. E vetmja mënyrë për t’i mbyllur derën agresionit rus kundër Evropës është pranimi i Ukrainës si anëtare”, tha ai.

Me synimin për samitin e ardhshëm të NATO-s në Lituani pas dy javësh, ai paralajmëroi qeverinë gjermane që të mos pengojë rrugën e vendit të tij në aleancë.

Ai i bëri thirrje Berlinit që të mos përsërisë “gabimin që kancelarja Merkel bëri në Bukuresht në 2008, kur ajo rezistoi ashpër çdo përparim për anëtarësimin e Ukrainës në NATO”.

”Vendimi në atë kohë kishte hapur derën për pushtimin e Gjeorgjisë nga presidenti rus Vladimir Putin dhe përfundimisht aneksimin e paligjshëm të Krimesë”, pretendoi ai.

Në samitin e vitit 2008, shtetet e NATO-s i kishin ofruar Ukrainës perspektivën e anëtarësimit, por më pas u tërhoqën për shkak të frikës se mos provokonin Rusinë.

Merkel dhe presidenti i atëhershëm i Francës Nicolas Sarkozy bllokuan kërkesat nga partnerët e tjerë të NATO-s për pranim të shpejtë.