10 ditë në detyrë, Ministri i Ekonomisë jep dorëheqjen pas deklaratave filonaziste
Ministri i ri i Ekonomisë i Finlandës, Vilhelm Junnila, 41 vjeç, nga partia e ekstremit të djathtë të Finlandës, njoftoi dorëheqjen e tij vetëm pas 10 ditëve në detyrë, pas protestave të shkaktuara nga disa nga deklaratat e tij pro naziste. Parlamenti votoi me 95 vota pro dhe 86 kundër për largimin e tij.
Junnila kishte shprehur bindjet e tij politike që në vitin 2019 gjatë një proteste të organizuar nga grupi i ekstremit të djathtë.
Vota e mosbesimit ishte kërkuar nga tre parti opozitare, të gjelbërit, ”Aleanca e Majtë” dhe social-demokratët, të cilët thanë se ishin të indinjuar nga lidhjet e ministrit me qarqet e ekstremit të djathtë.
Në vitin 2015, gjatë një fushate tjetër legjislative, slogani i tij “Gaz!” kishte shkaktuar polemika të nxehta, pasi u interpretua si referencë për Luftën e Dytë Botërore dhe dhomat e gazit.
Javën e kaluar, Junnila kishte bërë një sqarim, por pa e shuar zjarrin e polemikave.
“Shpresoj që të jetë e qartë për të gjithë se dënoj me vendosmëri dhe absolutisht Holokaustin, antisemitizmin dhe të gjitha aktet antisemitike”, siguroi ai.
Mirëpo, më shumë detaje janë bërë të ditura dje. Deputeti i kristian-demokratëve Paivi Rasanen kujtoi një episod tjetër nga viti 2019, kur Junnila kishte sugjeruar, gjatë një sesioni në kohën e pyetjeve në parlament, promovimin e abortit në Afrikë për të ruajtur planetin nga ndryshimet klimatike.
Kryeministri i ri ka premtuar një politikë më të ashpër migracioni, duke siguruar kështu mbështetjen për planin e tij të kursimit prej gjashtë miliardë eurosh, premtimin e tij kryesor elektoral.



