Fjalimi i fitores, Mitsotakis: Mandat i fuqishëm për të ecur përpara në rrugën e ndryshimeve

Lideri i konservatorëve në Greqi, Kyriakos Mitsotakis, e ka mposhtur rivalin e tij të qendrës së majtë, Alexis Tsipras, dhe ka thënë se e ka “mandat të fuqishëm” për të ecur përpara në rrugën e ndryshimeve.

Të dielën, Greqia i ka mbajtur zgjedhjet e dyta parlamentare brenda një muaji. Partia Demokracia e Re e Mitsotakisit ka fituar 40.5 për qind të votave, pothuajse 23 për qind më shumë sesa partia e Tsipras, Syriza.

Ai e ka mposhtur Syrizan edhe në maj, mirëpo i ka shpallur zgjedhjet e reja për të fituar shumicën e nevojshme për të qeverisur shtetin vetë.

“Demokracia e Re është sot partia më e fuqishme e qendrës së djathtë në Evropë”, u ka thënë Mitsotakis mbështetësve të vet në Athinë.

Mitsotakis tha se ND ka siguruar një shumicë të fortë me të cilën partia e tij do të mund të vazhdojë menjëherë me reformat e nevojshme. 

“Kur hodha hapat e para 20 vjet më parë, nuk e kisha imagjinuar kurrë që sot do të isha përballë jush duke pasur nderin dhe përgjegjësinë të zgjidhesha kryeministër me shumicë absolute për herë të dytë. Mundohem të mësoj nga gabimet e mia dhe nuk do të kisha mundur ta bëja pa partnerët e mi. 

Faleminderit familjes sime që më ka mbajtur gjithmonë në tokë. Sot do ta shijojmë për pak fitoren tonë, por nga nesër në mëngjes do të përveshim përsëri mëngët për të ndërtuar së bashku një Greqi të fortë me më shumë prosperitet dhe drejtësi”, tha ai.

Mitsotakis njihet për rikthimin e stabilitetit në ekonominë e Greqisë dhe menaxhimin e borxheve.

Ndonëse aktualisht shumë grekë vuajnë nga rritja e çmimeve të jetesës, ata kanë votuar për partinë që ka premtuar taksa më të ulëta dhe përmirësim të shëndetit publik.

Partia e Tsiprasit, Syriza, ka humbur edhe më thellë sesa në zgjedhjet e kaluara, duke fituar rreth 18 për qind të votave. Ai i ka hedhur poshtë spekulimet për dorëheqje, duke thënë se një vendim i tillë u takon pjesëtarëve të partisë.

Fitorja e siguruar nga Kyriakos Mitsotakis, 55 vjeç, ndaj Syriza-s së Alexis Tsipras është një gjë e rrallë në politikën greke, pasi pak parti e rrisin elektoratin e tyre pas një mandati të parë në detyrë.

Ai ia doli gjithashtu të tërheqë më shumë votues të rinj se sa rivali i tij.