Vuçiç: Kurti do luftë në Ballkan! Policët e Kosovës do dënohen, kemi prova

Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç ka thënë se Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti do luftë në Ballkan. Duke folur për policët e arrestuar, Vuçiç tha se ata do të dënohen pasi Serbia ka prova. Ndërkohë, Vuçiç shprehu shqetësimin për furnizimin me armë të Kosovës nga Turqia!

Aleksandër Vuçiç ka vijuar duke shpërfillur thirrjet e ndërkombëtarëve për 3 policët e Kosovës të arrestuar.

Të dielën presidenti Serb e çoj më tej retorikën e tij, duke thënë se 3 policët nuk do të shpëtojnë pa aktakuzë.

“Nuk besoj se është e mundur të ikësh pa një aktakuzë. Ajo që po u them njerëzve është se njësitet tona i arrestuan në territorin e Serbisë qendrore. Kemi të gjitha materialet që e vërtetojnë. Meqë ra fjala, ne ofruam që të gjithë anëtarët tanë nga ajo njësi t’i nënshtroheshin një ekzaminimi poligrafik”, tha ai.

Presidenti serb, ka thënë për televizionin serb Pink, se përshkallëzimi i situatës në Kosovë nuk e ka arritur pikun dhe se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dëshiron luftë.

“Ai dëshiron të ndodhë gjithçka që unë dua të shmang. Ne nuk e kemi arritur pikun e përshkallëzimit të krizës në Kosovë, siç mendojnë disa, mirëpo Kurti dëshiron luftë. Ai lutet për diçka të tillë”

Aleksandër Vuçiç foli gjithashtu për forcimin e ushtrisë së Kosovës, duke thënë se turqit kanë furnizuar Kosovën me armë shumë të fuqishme anti-tank, mortaja dhe obusë, ndërsa shtoj se Serbia ka hequr dorë nga blerja e dronëve nga Turqia, mirëpo që një numër i madh i dronëve kamikazë do të arrijnë shpejt në Serbi nga shtetet tjera, përfshirë Kinën.

I pyetur për qasjen e Shteteve të Bashkuara kundrejt Serbisë, Vuçiç ka thënë se “amerikanët nuk e kanë qasjen e njëjtë ndaj Serbisë, sikurse në vitet 90’”, por qasja është “shumë më e mirë”.