Gjermania alarmohet nga farmacitë, po mbyllen me ritme të jashtëzakonshme
Farmacitë janë mbyllur me ritme alarmante vitet e fundit në Gjermani dhe vetëm në tre muajt e parë të këtij viti janë mbyllur më shumë se 120 farmaci, sipas të dhënave të Shoqatës Federale të Farmacistëve Gjermanë (ABDA).
“Aktualisht kemi numrin më të ulët të farmacive që nga fillimi i viteve 1980”, ka thënë zëdhënësi i ABDA-së, Christian Splett, për Euronews.
Kjo situatë ka lënë shumë banorë gjermanë pa lidhje kyçe me sistemin e kujdesit shëndetësor, veçanërisht në zonat rurale, pasi farmacistët janë shpesh specialistët e parë që njerëzit kërkojnë ndihmë për problemet e tyre përpara se të kontaktojnë një mjek.
“Farmacistët kryejnë gjithashtu një funksion themelor në sistemin e kujdesit shëndetësor, të cilin nuk mund ta matni me sasinë e barnave që ata shesin”, ka thënë Splett.
Sipas ABDA, ka disa arsye pse farmacitë po mbyllen me ritme të shpejta, por arsyeja kryesore është se nuk duket se ka shumë të ardhme për farmacistët e rinj.
Procedurat e komplikuara burokratike çojnë në mbylljen e shumë farmacive private.
Përveç kësaj, sipas bazës zyrtare kombëtare të të dhënave PharmNet.Bund, e cila monitoron prokurimin e barnave në Gjermani, më shumë se 400 ilaçe janë të listuara si të padisponueshme në vend.
Më 14 qershor, mijëra farmaci mbyllën dyert për një ditë në shenjë proteste kundër situatës gjithnjë e më të vështirë në të cilën ndodhen.
Punëtorët kërkojnë që qeveria të rrisë tarifën që paguhen për çdo bar me recetë, nga 8.35 në 12 euro.
Por ministri gjerman i Shëndetësisë, Karl Lauterbach, hodhi poshtë kërkesën e farmacistëve, duke thënë se kishte mungesë fondesh shtesë për të përmbushur kërkesat e personelit.

