Siguria rrugore, 1 i arrestuar dhe 316 të gjobitur në Gjirokastër

Policia Gjirokastrës vijon kontrollet për rritjen e sigurisë në akset rrugore të vendit, në kuadër edhe të sezonit turistik.

Në njoftimin për mediet, të publikuar nga Drejtoria e Policisë e Gjirokastrës, bëhet me dije se gjatë javës së shkuar u arrestua 1 drejtues mjeti, i cili ishte nën efektin e alkoolit, teksa u ndëshkuan 168 të tjerë për parakalim të gabuar.

“Gjatë një jave, është arrestuar në flagrancë 1 drejtues mjeti për drejtim automjeti nën ndikimin e alkoolit dhe janë proceduar në gjendje të lirë 3 drejtues automjetesh për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor dhe drejtimi automjetit në mënyrë të parregullt. Gjithashtu, është pezulluar 1 leje drejtimi”, bëri të ditur Policia e Gjirokastrës.

“Si rezultat i monitorimit të akseve rrugore të qarkut, me shërbime të shtuara dhe me pajisje të logjistikës bashkëkohore: Janë ndëshkuar 168 drejtues mjetesh, për parakalime të gabuara; Janë ndëshkuar 31 drejtues automjetesh, për mosvendosjen e rripit të sigurimit; Janë ndëshkuar 316 drejtues automjetesh, për ndalim ose pushim të automjetit, në kundërshtim me sinjalistikën rrugore”, vijon njoftimi.

Policia Rrugore e Gjirokastrës, garanton se do të vijojë kontrollet në të gjitha akset rrugore urbane, interurbane dhe rurale, me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë rrugore.