Ishin të rrezikshme për fëmijët, EUROPOL bllokon 19 mln lodra me vlerë 79 mln euro
19 milionë lodra të falsifikuara dhe të konsideruara si të rrezikshme për fëmijët janë sekuestruar nga një operacion i Europol. Vlera e produkteve vlerësohet të jetë 79 milionë euro.
Një sasi rekord lojërash për fëmijë me marka të falsifikuara e të rrezikshme për shëndetin e sigurinë e fëmijëve janë sekuestruar në 29 vende europiane në një megaoperacion i koordinuar nga EUROPOL.
Hetimet e operacionit të shtrira në periudhën kohore 5 shtator 2022 deri më 31 janar 2023, përfshijnë rreth 6000 aktivitete policore në nivel ndërkombëtar që kanë çuar nën masën administrative të 298 personave e në vënien nën hetim të 205 prej tyre.
Operacioni i koduar “Lodus III” ka çuar në sekuestrimin e 19 milionë lojërave për fëmijë që nuk respektojnë normativën europiane për garantimin e sigurisë së lojës e së shëndetit të fëmijëve.
Vlera e produkteve të sekuestruara është 79 milionë euro.
Gjatë fazës operative, aksioni investigativ ka mundur të identifikoj rrjetin llogjistik e adminsitrativ që menaxhonte shpërndarjen e tregtimin e këtyre produkteve të paligjshme, lojëtarët kryesorë në zinxhirin e furnizimit tregtar si dhe ka cuar në shkatërrimin e grupeve kriminale që i mbështesnin.
Produktet e konfiskuara përfshijnë lodra argëtuese, elektronike, modele krijuese, video lojëra, kukulla personazhe të njohur të programeve televizive për fëmijë.
Sipas autoriteteve, lojërat nuk plotësonin standartet e sigurisë së legjislacionit ndërkombëtar e kishin mungesë informacioni për blerësin, përdorimi i tyre mund të sillte rreziqe reale për fëmijët si prania e substancave toksike, rreziku nga mbytja, dëm shëndetësor nga zhurma e pamatur etj.
Veprimi operacional ka përfshirë kontrolle e inspektime dhe në platformat e tregtimit on line të lojërave elektronike duke identifikuar burimet që ofrojnë në treg këto produkte, të cilat përdorin në mënyrë të paligjshme marka tregtare, modele industriale e simbole dalluese.