Samiti i sigurisë, sytë nga SHBA-Kinë, Pekini organizon ushtrinë para nisjes së samitit, rriten tensionet
Samiti i Sigurisë së Azisë në Singapor nis këtë të premte me një përplasje mes SHBA dhe Kinës. Dialogu siç raportojnë mediat ndërkombëtare pritet të fokusohet mbi marrëdhëniet mes shteteve por që duket palët kanë parashikuar të shmangin takimin.
Samiti i Sigurisë së Azisë që mbahet në Singapor, e gjen rajonin mes tensioneve. Para se shefat e mbrojtjes të mbërrinin, u publikua një raport përmes së cilit thuhet se Pekini i qëndron strategjisë për një sulm të mundshëm ndaj Tajvanit.
Madje shtohet se situata nuk ka ndryshuar pavarësisht asaj se çfarë ka sjellë agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës.
Duket se qëndrime të tilla janë bërë shkak që delegacioni i shteteve të bashkuara të Amerikës të mos ketë, të paktën sipas parashikimeve, diskutime të posaçme me kolegët e tyre të Kinës.
Sekretari i Mbrojtjes së SHBA Lloyd Austin tha të enjten se ishte fatkeqësi që Kina refuzoi ofertën për t'u takuar dhe paralajmëroi se mungesa e vazhdueshme e komunikimit mund të sjellë vetëm përkeqësime të marrëdhënieve.
Pekini në fillim të kësaj jave hodhi poshtë pretendimin se po bllokonte përpjekjet për dialog, teksa fajësoi SHBA-në për krijimin e “pengesave artificiale, duke minuar besimin e ndërsjellë”.
Nga ana tjetër për të ndalur përpjekjet e Kinës për të sulmuar Tajvanin, para samitit SHBA ka nënshkruar dhe një marrëveshje tregtare me drejtuesit e Taipeit.
