"Filoserbët e Tiranës dhe veriu i Kosovës"

Albin Kurti, mirë apo keq, duke dashur të shtrijë legjitimitetin e shtetit edhe në veri të Kosovës, po del kundër vullnetit të amerikanëve për marrëveshje të shpejtë dhe ka polarizuar situatën në vend. Në fund do të jenë votuesit që do ta vendosin nëse veproi mirë apo keq.

Sali Berisha thotë se u shpall non – grata se mbrojti Kosovën nga copëtimi, por kandidoi për vorio – epirin në Himarë.

Debatet pro dhe kundër projeksionit amerikan për Ballkanin, në Kosovë janë sa i përket aspektit gjeopolitik – a po rehabilitohet Serbia, me kusht për të dobësuar fuqinë e saj destabilizuese në rajon? Unë jam për shtetin e Kosovës dhe kundër projeksioneve aktuale të amerikanëve për situatën ballkanike. Debatet bëhen mbi një platformë – unë kam këtë ide për faktorin shqiptar në Ballkan, ti ke këtë. Për sa kohë që nuk përputhen, unë jam kundër.

Parimi që legjitimon veprimet e tua në Ballkan është interesi kombëtar amerikan. Baza që legjitimon veprimet e mia është interesi kombëtar. Interesi kombëtar i shqiptarëve është të shtrijnë legjitimitetin në gjithë shtetin e Kosovës.

Po në Shqipëri cili është interesi kombëtar që legjitimon veprimet politike?

Pushteti - Berisha në pushtet, Rama në pushtet.

Në Shqipëri, debatet pro dhe kundër amerikanëve janë për Sali Berishën dhe Edi Ramën. Dikur ishin për Enverin. Berishistët janë problematikë në logjikë njësoj si enveristët dikur. Enveristët e dikurshëm sot kanë një lider të ri, Edi Ramën. Pra, kemi dy lloje enveristësh – rilindas dhe berishistë.

Pse ka debate pro dhe kundër amerikanëve në Shqipëri? Kush i sjell ato në diskurin publik?

Berisha, vijuesi i linjës filoruse në Shqipëri, duke fuqizuar elementin serb të Bosnjes në vend gjatë qeverisjes së tij, ka polarizuar situatën politike me aleatët dhe arsyeja e vetme është kauza e tij ballkanike – Ballkani i ballkanasve, Himara e grekëve.

Edi Rama, në krahun tjetër, është sërish politikan i tezës se Shqipëria duhet shqyer, pasi, sipas tij, ka dy shekuj që udhëton së prapthi. Çdo projekt politik i ndërtuar ndër dekada, edhe ai pak moral publik dhe ideal kombëtar, duhet zhbërë. Çdo institucion që mbart emërtesën kombëtar duhet shuar. Pasoja e mbylljes nën enverizën ka lënë traumë aq të madhe te Rama sa, në vend se të rehabilitohet nga kjo traumë, shqyen Shqipërinë.

Berisha është enverist në mendësi. Ramën e ka lënë me trauma enverizmi. Të dy kanë marrë peng një vend me psikozat e tyre.