Buletini i tenderave për këtë të hënë
- Pasi u morr vendimi për ndërtimin e pistës së makinave në Elbasan “Auto Moto Park”, pasi u pagua për projektin, pasi u shpall fituesi për të kryer punimet, pasi Fondi Shqiptar i Zhvillimit po shpenzon 9 milion euro për infrastrukturën ndihmëse të pistës, Drejtoria e Shërbimeve të Transportit Rrugor “kujtohet” që projekti nuk ka studim fizibiliteti dhe plan biznesi. Tenderi është hapur dhe shërbimet e kësaj konsulence do të kushtojnë afërsisht 180 mijë euro.
- E njëjta kompani (Univers Servis) që kishte shërbimin e lavanderisë në Spitalin e Durrësit fiton tenderin e radhës për 3 vitet e ardhshme. Në vitin 2020 e njëjta kompani ofroi shërbimin me çmimin për njësi 297 lekë me TVSh.
Këtë herë edhe pse volumi ishte më i madh, çmimi ishte 403 lekë me tvsh. Me këtë vlerë spitalit do t’i leverdiste më mirë t’i blinte çarçafët e rinj, se t’i çonte t’i lante. Tenderi ishte i kufizuar dhe Agjencia e Blerjeve të Përqëndruara vendosi se kush do të merrte pjesë.
- Kompania “Salillari” ka fituar një kontratë për të asfaltuar 1.02 kilometër rrugë në Repartin Ushtarak të Poshnjes në Berat. Fondi limit ishte 606 mijë euro pa tvsh dhe oferta e fituesit 357 mijë euro, 41% më e ulët.
Ose ligji për prokurimin publik nuk është respektuar dhe tenderi i është dhënë një oferte anomalisht të ulët (kur është 25% klasifikohet e tillë), ose njësia e prokurimit nuk ka llogaritur mirë fondin limit dhe mirë që na shpëtoi Salillari!
- Kompania Albgaz kërkon të lidhë një marrëveshje dy vjeçare për mirëmbajtjen e ashensorit. Për këtë do të paguajë 38 mijë euro me tvsh. Nëse kërkon në internet, të instalosh një ashensor të ri nga e para, më i shtrenjti kushton 31 mijë euro.
- Të dy tenderat për pastrimin e bregedtit në Adriatik dhe Jon fitohen nga oferta më e lartë. Bashkimi i kompanive “Fusha” dhe “Alko Impex Construction” dhanë çmim për dy procedurat sa 97% dhe 98% e fondit limit. Në total pastrimi për zonën e plazhit nga Durrësi në Sarandë do të kushtojë për 3 muaj 1.7 milion euro.
P.S. Votoni institucionin më të aftë dhe kompaninë më të “zgjuar”.
