Pas 15 muaj në kërkim, dorëzohet ish-inspektori Martin Arapi. Prokuroria ndjek formulën juridike të lirimit të tij

Martin Arapi, inspektori i ndërtimit pranë IMT Sarandë që akuzohet nga prokuroria për “Shpërdorim detyre”, është dorëzuar mesditën e sotme në ambientet e komisariatit të Sarandës.

Arapi akuzohet se së bashku me Romina Pulaj dhe inspektorin tjetër Nertion Jano, kanë lejuar ndërtimin pa lejë të pallati në qytetin e Sarandës.

Prej muajit Shkurt 2022, Arapi ishte shpallur në kërkim, duke u fshehur mes Tiranës dhe Vlorës, ndërsa gjatë kësaj kohe policia nuk mundi ta arrestonte.

Por pas 15 muaj në arrati, ish-zyrtari i bashkisë së Sarandës, ka vendosur të dorëzohet me synimin e lirimit të tij nga gjykata. Ndaj Martin Arapi, është caktuar masa e sigurisë “arrest në burg” në mungesë.

Por pritet që ditën e nesërme, Arapi të dalë para gjykatës së Sarandës, ku do njihet me masën e sigurisë “detyrim për paraqitje”.

Këtë formulë juridike ndoqi një javë më parë dhe 26-vjeçari Nertion Jano, inspektori tjetër i IMT-së Sarandë, i cili ishte shpallur në kërkim për “Shpërdorim detyre”. Jano u dorëzua në muajin Prill 2023 në ambientet komisariatit të Sarandës.

Ndërsa një ditë më pas ishte prokurori i çështjes, Ilir Hoxha, i cili kërkoi lirimin e Nertion Jano, duke caktuar masën e sigurisë “detyrim për paraqitje”.

Tashmë radhën për tu liruar e ka inspektori tjetër Martin Arapi. Kjo pasi prokuroria krijoi një precedent të mëparshëm të favorizonte lirimin e ish-zyrtarëve të bashkisë Sarandë.

Të dy këta shtetas dyshohet se me veprimet/mosveprimet e tyre kanë lejuar ndërtimet pa leje në zona të ndryshme në qytetin e Sarandës, në bashkëpunim me Kryeinspektoren e IMT  Romina Pulaj, e arrestuar me datë 21 shkurt për veprën penale “Shpërdorimi i  detyrës”,

Gjatë hetimeve të kryera u konstatua se Pulaj ka shpërdoruar detyrën, duke lejuar ndërtimin e një pallati 7-katësh, i cili rezulton se nuk kishte leje ndërtimi të lëshuar nga bashkia Sarandë.

Më kuadër të operacionit “Heshtja” në atë periudhë u shpall në kërkim dhe pronari i objektit 7-katësh, Pando Papuçi.