Kurorëzimi i mbretit Charles/ Me familjen mbretërore në ballkonin e Buckingham, mbyllet edhe ceremonia madhështore

Me familjen mbretërore në ballkonin e Buckingham dhe përshendetjen e turmës që brohoriste përfundoi edhe ceremonia e kurorëzimit të mbretit Charles.

Në orën 15:25, e gjithë familja mbretërore doli në ballkon, duke përshëndetur turmën e mbledhur jashtë Buckingham.

Mbreti Charles dhe Mbretëresha Camilla u shfaqën për herë të parë në ballkonin e Buckingham, të veshur me kurorat e tyre, të cilat u ishin vendosur në kokë gjatë ceremonisë së kurorëzimit në Westminster Abbey.

Së bashku me çiftin mbretëror, edhe fëmijët që më herët në ceremoni zotëruan skenën duke mbajtur pelerinat e tyre, përfshirë Princin George, i dyti në radhën e fronit britanik, dhe nipërit e Camilla.

Princi William dhe Kate Middleton, së bashku me dy fëmijët e tyre më të vegjël, Princeshën Charlotte dhe Princin Louis, dolën gjithashtu në ballkonin e Buckingham.

Gjithashtu në ballkon me Mbretin Charles dhe Mbretëreshën Camilla ishin motra e Mbretit, Princesha Anne, dhe vëllai i Mbretit, Duka i Edinburgut, Princi Eduard, me gruan e tij Sophie dhe dy fëmijët e tyre.

Shfaqja ajrore që pasoi ishte e kufizuar në vetëm 2.5 minuta për shkak të shiut në Londër.

Sipas Ministrisë Britanike të Mbrojtjes, kjo ishte parada më e madhe ushtarake në 70 vjet.

Në të morën pjesë 19 banda ushtarake, 250 kuaj, 4000 pjesëtarë të Forcave të Armatosura, ndërsa u përfaqësuan 33 vende të Komonuelthit.

Pasi mbaroi procesioni, trupat u mblodhën në kopshtin e Pallatit, ku përshëndetën mbretin.

Charles u ul në anën e djathtë të karrocës ndërsa përshëndeti turmat.

Një grup po luante "God Save the King" në një moment ku ai kaloi, duke mbytur në mënyrë efektive zërat e protestuesve që thërrisnin "Jo mbreti im".

Karroca e dytë mbante Princin William dhe Kate Middleton së bashku me tre fëmijët e tyre.

Karroca e artë në të cilën ndodhej çifti mbretëror është ndërtuar 261 vjet më parë.

Ajo peshon katër tonë dhe mund të lëvizë me një ritëm ecjeje.

Kjo karrocë është përdorur në çdo kurorëzim që nga viti 1831 dhe kërkon tetë kuaj Windsor Grey për ta tërhequr atë.