GJKKO rrëzon 2 gjyqtarët e shkarkuar nga vetingu dhe të proceduar penalisht për fshehje dhe mosdeklarim pasurish

Gjykata e Posaçme ka rrëzuar kërkesën e 2 gjyqtarëve të shkarkuar nga vetingu dhe të proceduar penalisht për fshehje dhe mosdeklarim pasurish, të cilët kërkonin pezullim të gjykimit derisa të rishikohej vendimi për përjashtimin e tyre nga sistemi i drejtësisë.

Fatos Lulo dhe Shkëlzen Selimi pretendonin se procesi ndaj tyre pas gjetjeve të vettingut, ka patur pjesë të trupit gjykues Luan Daci, i dënuar për falsifikim.

Për këtë, Lulo e Selimi kërkuan rishikim të vendimit të KPA-së dhe në të njëjtën kohë pezullim të procesit penal që po zhvillohet në Gjykatën e Posaçme.

Nga ana tjetër, prokuroria pretendon se hetimet ndaj Lulos nisën pas verifikimeve të SPAK, që rezultoi se ka fshehur një pasuri, e llojit apartament me sipërfaqe 172 m2 në rrugën e Durrësit.

Ndërkohë Shkëlzen Selimi ish-gjyqtar i Gjykatës së Lartë akuzohet nga SPAK për kryerjen e veprës penale “refuzimi për deklarimin, mosdeklarimin, fshehjen të pasurisë”.

Selimi u shkarkua nga KPK në lidhje me problemet pasurore që u gjetën, si dhe në bazë të provave për lidhje me elementë të krimit të organizuar në Fier, e përkatësisht me Arben Isufajn, njohur si “Ben Qimja”.

Pas vendimit të KPK, SPAK nisi hetimet dhe sekuestroi pasurinë e  Selimit, 3 sipërfaqe trualli 432 dhe 132.25 m2, karburant në shëtitoren e Lungomares në Vlorë.

Gjithashtu truall sipërfaqe 2400 m2, e përbërë nga bashkim pasurish, në Jonufër të Vlorës, në pronësi të Kujtim Selimit dhe një truall tjetër me sipërfaqe 764 m2 dhe karburant me sipërfaqe 57 m2 në rrugën Transballkanike në Vlorë, në pronësi të të afërmit të tij, Kujtim Selimi. 20 ish-prokuror dhe gjyqtarë deri më tani kanë kontestuar vendimet e KPA me të njëjtat argumenta, ndërsa në total, Daci ka qenë pjesë e trupës gjykuese për 34.

GJKKO rrëzon 2 gjyqtarët e shkarkuar nga vetingu dhe të proceduar
Në foto: Shkëlzen Selimi dhe Fatos Lulo