"Rindërtimi i Ukrainës nis tani!" Meloni ofron mbështetjen italiane për vendin e shkatërruar nga lufta

Ndërsa në Ukrainë vazhdojnë të bien bomba, për Ministrin e Jashtëm e njëherësh zëvendëskryeministër i qeverisë italiane Antonio Tajani, "rindërtimi i këtij vendi nis tani".

U mbyll në Romë konferenca ndërqeveritare mes Italisë e Ukrainës e ku morën pjesë 600 sipërmarrje italiane e 150 biznesmenë ukrainas të cilëve kreu i ekzekutivit italian, Giorgia Meloni u tha se " të investosh në Ukrainë në këtë moment nuk është një risk por një zgjedhje largpamëse".

Italia garanton të jetë në linjë të parë e një nga vendet kyçe që do të kontribuojnë në rindërtimin e Ukrainas.

Qe 21 shkurti i 2023, kur gjatë takimit në Kiev mes kryeministres italiane Giorgia Meloni e Presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, u dakordësua se Italia do të luaj një rol çelës në rindërtimin e këtij vendi, e Konferenca e Romës u bë pikënisja e nënshkrimit të një sërë memorandumesh e projektesh konkrete.

Në konferencën e Romës mbi Ukrainën morën pjesë Kryeministri i këtij vendi Denys Shmyhal, ministri i jashtëm Dmytro Kuleba, ndërsa Presidenti i këtij vendi  Volodymyr Zelensky ndoqi gjithçka nga Kiev përmes lidhjes live e me një video mesazh mes të tjerash u shpreh se "shpreson shumë që rindërtimi i Ukrainës të nis para vitit 2025".

Krah Kryeministres Meloni e ministrit të Jashtëm Tajani, në këtë konferencë qenë të pranishëm ministri italian i Biznesit e Made in Italy, Adolfo D'Urso, ministri i Infrastrukturës Matteo Salvini e Ministri i Ekonomisë e Financës Giancarlo Giorgetti.

Italia do të mbështesë Ukrainën në adresimin e nevojave urgjente humanitare të krijuara nga agresioni rus, në rindërtimin e shpejtë të infrastrukturës kritike të shkatërruar nga lufta dhe të mjeteve të jetesës, si dhe në krijimin e kushteve më të mira të mundshme për rindërtimin e strukturës sociale -ekonomike të vendit. 

Qeveria Italiane ka parashikuar fonde shtesë dhe hua të subvencionuara nga Kooperacioni Italian për një shumë prej 160 milionë euro për vitin 2023, në ndihmë për nevojat humanitare dhe projektet e rimëkëmbjes së shpejtë, paralelisht me ngritjen e një zyre të Agjencisë Italiane të Bashkëpunimit në Kiev.

Gjithashtu Ministria Italiane e Ekonomisë dhe Financave do të kontribuojë në Fondin EIB "BE për Ukrainën" me një garanci prej 100 milionë euro.

Ministria Italiane e Kulturës ka ilustruar në këtë konferencë aktivizimin e bashkëpunimeve në modelimin e avancuar 3D të kishave në Kiev (Kisha e Shpëtimtarit në Berestovo; Kisha e të Gjithë Shenjtorëve) për të marrë një dokumentacion dixhital në rast dëmtim, ka garantuar mbështetje nga “Komanda e Karabinierëve për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore” në kërkimin e pasurive kulturore të vjedhura;

Dy qeveritë njohin kontributin e Qendrës Evropiane të Kompetencës për Ruajtjen e Trashëgimisë Kulturore, të koordinuar nga Instituti Kombëtar Italian i Fizikës Bërthamore, në ruajtjen e dokumentacionit dixhital të trashëgimisë kulturore të Ukrainës, duke transferuar grupet e të dhënave përkatëse në serverët e komunitetit.

Gjithashtu Ministria Italiane e Ekonomisë dhe Financës synon të arrij një mbështetje financiare ndërkombëtare për realizimin e projekteve strategjike në Ukrainë, duke përfshirë shërbimet komunale, infrastrukturën dhe sektorin energjetik, si dhe rifillimin e projekteve të ndërprera në vitin 2022 për shkak të konfliktit (për një shumë totale prej rreth 500 milionë euro) dhe mbështetjen e projekteve të reja, kryesisht në fushën e kujdesit shëndetësor dhe infrastrukturës, për një shumë totale prej rreth 1 miliard euro.

Qeveria e Giorgia Meloni shpreson të marrë 10 për qind të mbi 400 miliardë investimeve të planifikuara për të rindërtuar Ukrainën. Ndër ministrat që po punojnë shumë në këtë drejtim është edhe Adolfo Urso, kreu i Ministrisë së Biznesit dhe Made in Italy, i cili po realizon dy projekte: Horonda dhe Made in Ukraine.

I pari synon të krijojë një korridor infrastrukturor për të lehtësuar transportin, falë një qendre në portin e Triestes, të ndihmave dhe materialeve që do të mbërrijnë më pas në Ukrainë. Projekti i dytë, nga ana tjetër, synon të krijojë një markë, një markë të bazuar në solidaritetin global në Kiev.

Për këtë "është nënshkruar një marrëveshje", tha Urso në konferencë, pas nënshkrimit të memorandumit me zëvendëskryeministren dhe ministren e ekonomisë Julija Svyrydenkog. "Krijimi i markës dhe identifikimi i produkteve tipike ukrainase me një markë kombëtare mund të kontribuojë në blerjen e tyre si për arsye solidariteti ashtu edhe për të identifikuar më mirë origjinën e tyre", thuhet në një deklaratë e përbashkët të ministrave.