Xhaçka përshëndet progresin e Kosovës: Një hap i parë i rëndësishëm për t'i dhënë vendin e merituar në Këshillin e Europës
Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashme, Olta Xhaçka, e ka cilësuar një lajm të shkëlqyer vendimin e Komitetit Ministror të Këshillit të Evropës për t’i përcjellë Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës kërkesën për anëtarësimin e Kosovës.
Xhaçka thotë se ky është një hap i parë, i rëndësishëm për t'i dhënë Kosovës vendin e merituar në Këshill!
"Lajm i shkëlqyer nga Këshilli i Evropës! Komiteti i Ministrave vendosi të pranojë kërkesën e Kosovës për anëtarësim dhe t'ia dërgojë Asamblesë Parlamentare për të dhënë mendimin e saj. Një hap i parë, i rëndësishëm për t'i dhënë Kosovës vendin e merituar në Këshill!"
Ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, ka njoftuar të hënën se Komiteti Ministror i Këshillit të Evropës, ka marrë vendim që t’ia përcjellë Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës kërkesën për anëtarësimin e Kosovës.
Sipas Gërvallës, Komiteti që përfaqëson 46 shtetet anëtare të KE-së, mori këtë vendim në një mbledhje të jashtëzakonshme, me më shumë se 2/3 e votave.
Sipas burimeve të Radios Evropa e Lirë, për këtë vendim pati 33 vota për, shtatë kundër dhe pesë abstenime.
