Nënshkruhet vendimi për liberalizimin e vizave
Serbët e Kosovës me dokumente të lëshuara në Serbi nuk do të përfitojnë nga vendimi për lëvizjen e lirë që do të hyjë në fuqi janarin e vitit 2024. BE u bëri të qartë se vetëm me pasaportën e Kosovës do të udhëtojnë pa viza.
Serbët do të duhet të marrin dokumente identifikimi të Shtetit të Kosovës, nëse do të duan të lëvizin të lirë në vendet e BE prej janarit 2024.
Bashkimi Europian bëri të qartë se heqja e vizave nuk vlen për ata me dokumente të lëshuara në Beograd.
"Besoj që legjislacioni është i qartë, pasaportat që lëshohen nga autoritetet kosovare dhe [sa i përket] pasaportave të serbëve që veçse jetojnë në Serbi, ata kanë liberalizim tashmë. Është formuluar goxha me kujdes, ashtu siç thuhet, asgjë më shumë, asgjë më pak: qytetarët e Kosovës me dokument të lëshuar nga autoritetet e Kosovës mund të udhëtojnë lirshëm", tha Reuten.
Në ceremoninë e firmosjes së aktit ligjore të aktit të lëvizjes së lirë për Kosovën që u mbajt në Strasburg, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi tha se u mbyll një proces me pengesa.
"Ky ka qenë një proces i gjatë, i vështirë, me shumë pengesa rrugës dhe ka marrë 11 vjet kohë për ta përmbyllur.Liberalizimi i vizave do të mundësojë kontakte midis njerëzve, të përforcojë lidhjet tona me BE-në, të konfirmojë përkushtimin e BE-së për rajonin dhe të rrisë aktivitetet biznesore, arsimore dhe kulturore për qytetarët tanë".
Serbëve në veri numri dy i qeverisë së Prishtinës u kujtoi se kanë edhe 8 muaj kohë të marrin pasaportën e Kosovës.
Raportuesi i Parlamentit Evropian për vizat për Kosovën, This Reuten e pranoi se vendimi ishte i vonuar.
“Ky vendim nuk është kuptimplotë vetëm për Kosovën, për shkak se të gjithë shtetasit e tjerë të rajonit kanë mundur të udhëtojnë, përveç Kosovës. Ishte i padrejtë, i paarsyeshëm dhe kësaj situate tashmë i ka ardhur fundi. Kosova ka punuar shumë për të plotësuar të gjitha kushtet dhe për t’i përmbushur ato para shumë vjetësh dhe tashmë po shpërblehet për këtë gjë. Por, nuk është vetëm moment i rëndësisë së madhe për Kosovën, por është me rëndësi edhe për ne, pasi BE-ja përfundimisht e përmbushi premtimin e vetë”, tha Reuten.
Por tashmë sipas tij u hap një kapitull të për integrimin e rajonit në bllokun evropian.
"Nuk mund t’ia falim vetes që të na ikë kjo mundësi për një kohë të gjatë. Duhet të punojmë që këtë rajon ta fusim në familjen tonë evropiane", tha Reuten.
Ceremonia e nënshkrimit u zhvillua në selinë e Parlamentit Evropian, dhe u drejtua nga shefja e këtij institucioni, Roberta Metsola, përfaqësues të qeverisë së Kosovës dhe Suedisë, që ka presidencën e BE.
Regjimi pa viza mundëson udhëtime vetëm deri në 90 ditë brenda gjashtë muajsh në cilindo nga shtetet anëtare të zonës Schengen.
