"Do vendosim një afat", Qeveria ka gati strategjinë për rritjen e pagave dhe në sektorin privat

Në mbledhjen e parë për këtë vit të Këshillit Kombëtar të Punës, Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, njoftoi se qeveria do të hartojë një strategji për rritjen e pagave edhe në sektorin privat.

Ajo tha se do të vendoset një afat për rritjen e rrogave në mënyrë që bizneset të mos gjenden të papërgatitur nga vendimet që do të ndërmarrë qeveria.

"Jemi duke punuar, e kjo do të jetë temë diskutimi edhe në mbledhjen e sotme, për të bërë një strategji dhe në vijim të rritjes së pagave në sektorin privat, siç kemi bërë dhe me sektorin publik. Do të vendosim një afat për rritjen e pagave që edhe bizneset të kenë një lloj parashikueshmërie për vendimet e Këshillit të Ministrave."

Turizmi është një ndër sektorët që vitet e fundit po përballet me mungesë punonjësish.

Ndaj ministrja Kumbaro kërkoi nga punëdhënësit që të vlerësojnë financiarisht vartësit e tyre përtej politikave që ka marrë qeveria.

"Nuk mjafton thjesht të kërkosh por edhe duhet krah pune, por edhe duhen paguar dhe vlerësuar. Brenda sektorit të shërbimit të turizmit figura më e vlerësuar sot është figura e shefit të kuzhinës.Por kemi ende një punë të madhe për të bërë për ndryshimin e mentaliteteve të punëdhënësve për sa i përket kategorive të tjera të cilët as nuk janë të motivuara mjafueshëm financiarisht në mënyrë konstante por edhe të vlerësohen më shumë për punën që bëjnë, për vlerësimin dhe në raportin e drejtëpëdrejtë punëdhënës dhe punëmarrës".

Pas rritjes së rrogave në administratën publike, Ibrahimaj dhe Kumbaro thanë se fokusi i qeverisë do të jetë rritja e pagës mesatare.