Manja: Qeveria vendosi rritje pagash nga 1 prilli edhe për policinë dhe personelin shëndetësor në burgje

Qeveria miratoi sot rritjen e pagave për punonjësit e policisë së burgjeve dhe punonjësit e sistemit shëndetësor në burgje.

Pas mbledhjes së qeverisë, ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja e konsideroi lajm të mirë rritjen e pagës për punonjësit e policisë së burgjeve dhe punonjësit e sistemit shëndetësor në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve.

“Do të ketë një rritje pagash të konsiderueshme edhe për punonjësit e Policisë së Burgjeve duke u barazuar me punonjësit e Policisë së Shtetit. Duke filluar që te gradat e rolit bazë, gradat e mesme, por dhe gradat e larta në Policinë e Burgjeve ka rritje page në dy faza. Rritja e menjëhershme do t’i shtrijë efektet financiare nga data 1 prill dhe rritja tjetër do të jetë në vitin 2024”, tha Manja.

Po ashtu, Manja tha se edhe për punonjësit e sistemit shëndetësor në burgje të personelit mjekë dhe infermierë do të ketë rritje pagash drastike njëlloj si për punonjësit e tjerë të sistemit shëndetësor në ato bashki ku ato ushtrojnë funksionet.