Këlliçi takime në njësinë 4: Qytetarët janë gati për uljen e taksave dhe për transport publik falas
Kandidati i opozitës për Bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi shpjegoi platformën e tij për uljen e kostos së jetesës, në një takim me banorët e Njësisë Nr.4 në kryeqytet.
Gjatë bashkëbisedimit me banorët, Këlliçi shpjegoi në mënyrë të detajuar projektin për transport publik falas për qytetarët, ndërsa u dha përgjigje edhe skeptikëve.
Belind Këlliçi tregoi se si Erion Veliaj është kapur në panik, për shkak të këtij premtimi, i cili do t`u heqë paratë inceneratorëve për të ofruar një shërbim publik falas për banorët e Tiranës.
“E ka kapur paniku i madh se kemi premtuar që 6.8% të buxhetit prej 240 milionë euro të Bashkisë së Tiranës, nuk do e çoj më për inceneratorë fantazëm, por do t`ua jap ju, me transport publik falas. Ku fitojnë përditë 200 mijë qytetarë”, - tha Këlliçi.
Më tej, Belind Këlliçi shpjegoi se transporti publik falas do të pasohet jo vetëm me modernizim të shërbimit, por njëkohësisht do të sjellë edhe të mira të tjera, siç është reduktimi i trafikut apo ulja e ndotjes.
“Nga ana tjetër, kemi një problem shumë të madh, trafikun. Transporti publik falas ul trafikun në Tiranë, e shfryn. Pse? Sepse njerëzit do t`i lënë makinat, do mundohen të marrin një shërbim modern të transportit publik, që ne do ta modernizojmë”- tha Këlliçi.
Për skeptikët e këtij premtimi apo dhe propagandës se transporti publik falas është koncept i majtë, Belind Këlliçi kishte një përgjigje.
“Ata që na sulmojnë se koncepti i transportit publik falas është i majtë. Nuk është i majtë sepse transportin publik ju e paguani, paguani taksa në Tiranë. Thjesht nuk do paguani dy herë. Do paguani zero çmimin e biletës. Ju paguani taksa në këtë qytet, kontribuoni në këtë qytet. Problemi është që nuk i merrni shërbime” -tha ai.
Belind Këlliçi tha se paratë për transportin publik falas do t`i hiqen inceneratorit, i cili paguhet për një shërbim që nuk e kryen. Madje, për aferën e inceneratorit, Belind Këlliçi premtoi se do të çojë përgjegjësit përpara ligjit.
Gjatë bashkëbisedimit me qytetarët, Belind Këlliçi u ofroi garanci punonjësve aktuale të bashkisë së Tiranës, se vendi i tyre i punës nuk do të preket. Por nga ana tjetër, abuzuesit me këtë vend pune dhe patronazhistët, do të kallëzohen të gjithë në prokurori.
Gjatë bashkëbisedimit me qytetarët, Belind Këlliçi foli edhe për paketën fiskale, e cila syon reduktimin e disa taksave dhe tarifave vendore, ku përfitues janë 41 mijë biznese të vogla e të mesme në kryeqytet.

