Boom kërkesash për punësim sezonal në Itali edhe nga Shqipëria e Kosova

Një boom kërkesash për punësim sezonal janë prezantuar në Itali mes të cilëve dhe mjaft punëtorë shqiptarë e kosovarë.

Është hapur zyrtarisht në Itali procedura për punësimin e punonjësve sezonalë në sektorë të ndryshëm të ekonomisë italiane nga vende të ndryshme ekstrakomunitare mes të cilëve Shqipëria e Kosova.

Brenda pak orësh janë regjistruar mbi 240 mijë kërkesa punësimi nga 82 705 që është numri i vendeve të punës të ofruara nga qeveria italiane.

Ministria e Brendshme Italiane ka informuar se të gjitha kërkesat janë regjistruar në platformën e saj telematike e do të shpërndahen në të gjitha rajonet e provincat italiane sipas nevojës së punësimit duke i dhënë precedencë renditjes kronologjike të dorëzimit të kërkesave.

Kuotat e përcaktuar për punëtorët sezonalë do të jenë nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Bangaldeshi, India, Nigeria, Pakistani, Moldavia e vende të tjera ekstrakomuntare.

Ky dekret ligj jep mundësi dhe konvertimi të lejes së qëndrimit nga studimi në leje për motiv punësimi, për ata persona që vijnë nga këto vende e që jetojnë momentalisht në Itali për shkollim e formim profesional.

1000 kuota janë parashikuar për punonjës profesionalë që në vendin e tyre të origjinës kanë përmbushur ciklin e formimit e studimit profesional.

Gjithashtu rreth 500 kuota janë parashikuar për ata emigrantë të ardhur nga këto vende që kërkojnë të investojnë në Itali përmes një plani me interes për ekonominë italiane e me burime financiare jo më pak se 500 mijë euro, për artistë e profesionistë me karrierë të suksesshme, për profesionistë autonomë që kërkojnë të ushtrojnë profesionin e tyre në Itali me kushtet e përmbushur e dokumentacionin e lëshuar në bazë të rregullave nga urdhrat e shoqatat profesionale italiane të njohura nga administrata publike, si dhe për atë kategori punonjësish që kërkojnë të ndërtojnë sipërmarrje start up rinovuese në ekonominë italiane.

Deri më 26 mars është e mundur para plotësimi i formularit të aplikimit në Portalin e Ministrisë së Brendshme Italiane e prej orës 9.00 të 27 marsit nis regjistrimi zyrtar.

83 702 kuotat e para që përmbushin kushtet e kërkuara do të kenë mundësi të bëhen pjesë e sistemit italian të punësimit sezonalë. Kërkesat e kuotat për çdo kategori bëhen përmes punëdhënësve italianë e nevojave të tyre.

Sektorët e kërkuar për punësim janë ndërtim, bujqësi, mekanik, telekomunikim. turizëm-hoteleri, sektor detarë e ai ushqimor.