Misri nuk shitet/ Në Maliq sasi të mëdha stoku, fermerët nuk dinë ku të ankohen

Fermerët e Maliqit po përballen me prodhimet që u mbeten stok. Misri tek shumë fermerë atje ka mbetur pa shitur, ndërsa vetë ata shprehen se shkaqet janë të ndryshme nga mbiprodhimi, ikja e njerëzve dhe importi i mallit që bëhet nga jashtë vendit.

59-vjeçari Petrit Hymeti nga Maliqi, prej një jete kultivon prodhime bujqësore, të cilat kanë ndryshuar herë pas here.

Fokusi i viteve të fundit për Petritin është bërë misri.

Por ndryshe nga vitet e tjera, këtë vit mungon tregu.

Sasi të mëdha misri kanë ngelur stok në banesën e tij, në pritje për tu shitur.

Petrit Hymeti: “Me shitjet ngaqë ka pasur mbiprodhim, ne jemi të detyruar ta japim aq sa ta kërkojë tregtari që vjen. Asnjëherë nuk i kemi diskutuar çmimet. Mirëpo nuk ka treg”.

Një tjetër arsye mbetet shpopullimi i fshatrave duke sjellë edhe mungesën e tregut.

Petrit Hymeti: “Sepse edhe fshtrat janë shpopulluar, janë ulur numrat e krerëve të bagëtive, si dhe arsye të tjera si sëmundjet e vitit”.

Ndihma për fermerët thotë se është e pakët.

Petrit Hymeti: Bujqësia në retrospektivë gjithmonë kështu ka qenë. Ne mund të themi që jemi të dënuar të vuajmë, kaq keq janë prodhimet. Sepse vjen malli që nga jashtë, arsyet nuk i dimë, tregtari ka punët e tij. nuk mund ta ndalojmë dot këtë, por kjo dëmton prodhimin tonë”.

Prodhuesit e vegjël janë ankuar vitet e fundit anembanë vendit për prodhimet e tyre, dhe mungesën e një ndihme reale nga shteti.