Banka e Shqipërisë rrit normën bazë të interesit në 3%

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi sot të rrisë normën bazë të interesit me 0.25 pikë përqindje, duke iu kthyer normalizimit monetar pas një pauze afërsisht katërmujore.

Norma bazë e interesit ka arritur në nivelin 3%, niveli më i lartë që prej fundit të vitit 2013.

Guvernatori, Gent Sejko, tha se megjithëse inflacioni ka vijuar rënien gjatë muajve të fundit, presionet inflacioniste ngelen të larta, duke iu referuar sidomos niveleve rekord të inflacionit bazë dhe sinjaleve nga tregu i punës.

“Këshilli Mbikëqyrës gjykoi se presionet e larta inflacioniste që burojnë nga ambienti i brendshëm janë një faktor i rëndësishëm rreziku, së pari, për respektimin e objektivit të stabilitetit të çmimeve dhe, më tej, për rritjen e qëndrueshme dhe afatgjatë të vendit. Në këto rrethana, ai e vlerësoi të nevojshme reduktimin e stimulit monetar nëpërmjet rritjes së normës bazë të interesit. Këshilli Mbikëqyrës vëren se kjo masë është në përputhje me komunikimet tona të mëparshme dhe në konsistencë me lëvizjet e fundit të bankave kryesore qendrore,” tha Sejko.

Ai shtoi se ekonomia shqiptare ka vijuar të rritet në tremujorin e katërt të vitit të shkuar dhe tremujorin e parë të vitit aktual. 

Sipas analizave të Bankës së Shqipërisë, zgjerimi i shpejtë dhe i qëndrueshëm i kërkesës agregate ka sjellë një shfrytëzim gjithnjë e më të lartë të kapaciteteve prodhuese të ekonomisë shqiptare.

Sipas këshillit Mbikëqyrës, inflacioni pritet të shënojë rënie graduale gjatë tremujorëve në vijim dhe të kthehet në objektiv gjatë mesit të vitit të ardhshëm. Po ashtu, rritja ekonomike pritet të qëndrojë në territor pozitiv, ndonëse ritmi i rritjes parashikohet të shënojë një ngadalësim të lehtë gjatë vitit aktual