Protesta të ashpra në Francë kundër reformës në pensione/ Protestuesit akuzojnë Presidentin Macron si përbuzës

Vendosmëria e presidentit francez macron për rritjen e moshës së pensionit ka shkaktuar fuqizimin e grevave dhe protestave në Francë. Në ditën e 9 të rezistencës, rrugët e Parisit u mbushën me tym e flakë nga qytetarët që nuk i kursyen akuzat ndaj presidentit.

Qindra mijëra qytetarë kanë vendosur të vazhdojnë grevat dhe protestat në Francë, pasi presidenti Emmanuel Macron u zotua të çojë përpara planin e tij për reformën e pensioneve, pavarësisht përshkallëzimit dhe zemërimit në të gjithë vendin.

Protestat kundër draftit i cili rrit me dy vjet moshën e daljes në pension, kanë nxjerrë në rrugë turma të mëdha në protesta të organizuara nga sindikatat që prej janarit.

Sindikatat e punëtorëve paralajmëroi se në ditën e nëntë të revoltës mbarëkombëtare numri i protestuesve është disa fish më i lartë për të kundërshtuar atë që ata e përshkruajnë si "përbuzje" dhe "gënjeshtra" të presidentit Macron.

Macron ngjalli zemërim tek sindikatat dhe partitë opozitare të mërkurën kur hodhi poshtë thirrjet e tyre që ai të merrte parasysh kërkesat për të mos e çuar përpara këtë plan.

Shumica e protestave kanë qenë paqësore, por zemërimi është rritur që kur qeveria e shtyu projektligjin në Parlament pa votim, javën e kaluar.

Në shtatë netët e fundit në Paris dhe qytete të tjera protestat u përshkallëzuan me prostesues që ua vunë flakën kazanëve të mbeturinave dhe u përleshën me policinë.

Presidenti Francez ka deklaruar vazhdimisht me bindje se reforma është e domosdoshme në mënyrë që sistemi i pensioneve të mbetet funksional.

“Reforma nuk është luks, nuk është për argëtim, është domosdoshmëri për shtetin”, theksoi ai.

Nga ana tjetër Sindikatat nuk tërhiqen duke bërë thirrje për protesta mbarëkombëtare dhe për greva në sektorët kyçë, për të paralizuar vendin derisa qeveria ta tërheqë këtë projektligj.