Lehona që “ngriti në këmbë” Shqipërinë/ Diana Bahçja rrëfen burgun: E vështirë, qaja ditë e natë!
Diana Bahçja, nëna lehone e cila u arrestua në Shkodër është kthyer pranë të birit 2 javësh. Ajo tha se ditët në burg kanë qenë të vështira pasi e kishte mendjen tek djali i porsalindur. Bahçja u lirua të premten nga gjykata e Tiranës, ndërsa arrestimi i saj solli reagime të shumta në vendin tonë!
“Për mua ishte shumë e vështirë, nuk e përballoja dot. Me zor kam ndenjur atje, duke qarë ditë-natë” - Këto janë fjalët e para të Diana Bahçja, nëna lehonë arrestimi i së cilës 1 javë pas lindjes solli reagime të ashpra në të gjithë vendin.
Ajo u rikthye në banesën e saj në Shkodër, pasditen e së premtes pasi u lirua nga Gjykata e Tiranës.
Me lot në sy ajo shkoi pranë të birit. Diana kujton momentin e arrestimit të saj.
“Thjesht më thanë që jam e dënuar 1 muaj e 10 ditë. Shkuam në Tiranë, pastaj më kthyen në Shkodër. Unë i tregova që sapo kisha lindur, por ata nuk donin t’ia dinin. Unë i thashë edhe që nuk kisha qenë në dijeni fare as për gjobën dhe as për dënimin”, tha ajo.
Diana Bahçja u lirua të premten nga gjykata e Tiranës, ndërsa gjatë muajt prill ajo do të përballet përsëri me togat e zeza, pasi do të shqyrohjet gjoba 2.5 milionë lekë ndaj saj.


