Rritja e pagës minimale/ Koti: Do shoqërohet me rritje fiktive të papunësisë dhe informalitetit
Nga 1 prilli i këtij viti, në Shqipëri do të rritet niveli i pagës minimale. Nga 34 mijë lekë që është aktualisht, paga minimale do të arrijë në 40 mijë lekë, sipas vendimit që qeveria mori në 1 mars.
Deputetja demokrate Sorina Koti thotë se kjo masë e qeverisë do të rrisë akoma më shumë informalitetin në ekonomi.
"Do të jetë një rritje e pandjeshme. Vendosja e pagës minimale reflektohet në rritje detyrimesh që vjen nga biznesi.
Biznesi më shumë do të preferojë të pushojë njerëz nga puna se do të jetë i paaftë për të paguar atyre detyrimet ndaj shtetit ose një pjesë e tyre do të preferojnë që të punojnë të padeklaruar në mënyrë që mos ti paguajnë detyrime shtetit.
Në mënyrë fiktive do të kemi një rritje të papunësisë, një rritje të informalitetit dhe ekonomisë së zezë që Shqipëria është duke e vuajtur.
Kemi gati 60% të ekonomisë informale dhe kjo masë do ta nxisë dhe më shumë. Biznesi është ende i pafuqishëm për të përballuar të gjithë këtë barrë fiskale".
E ftuar në Rtv Ora, Koti tha se është pasiguria që po i shtyn shqiptarët drejt emigrimit dhe jo paga siç pretendon Rama.

"Paga është një nga elementët, por siguria është elementi i parë që një familje largohet nga vendi."
Ajo shtoi se ligji për takimin mbi të ardhurat do të diskutohet përsërinë Komisionin e Ekonomisë.
"Shpresoj që ky ligj ose të miratohet si duhet ose të mos miratohet fare. Ndërkombëtarët po i dalin kundër qeverisë për nismat që ka ndërmarrë".
Duke mbetur te zgjedhjet vendore të 14 majit, Koti tha se zgjedhjet kanë peshën e atyre të përgjithshme.
"Këtë radhë gara nuk do të jetë thjesht për pushtetin vendor po një garë përballë qeverisë sepse Qeveria i ka ndezur të gjithë motorët për të fituar bashkitë. Është një garë e fortë, e ndjejmë në terren. Kur fushata të fillojë do bëhen zyrtare programet konkrete."
Teksa Alibeaj do të regjistrohet në zgjedhje me vulën dhe logon e PD, Koti tha se çdo votë e humbur për demokratët nuk është nja lajm i mirë.
"Patjetër që po, çfarëdo ndarje që ndodh në PD do të na cënonte. Më vjen keq që nuk arritëm një konsensus. Edhe një votë është e dëmshme sepse i shkon PS dhe jo PD.
Më vjen keq që Alibeaj me kokëfortësinë e tij vazhdoi rrugën e këmbënguljes për të pasur diçka ku realisht e dimë se ku është.
Më vjen keq që nuk pranuan të jenë fraksion. Interesat e këtij grupimi të vogël dolën përtej atyre të PD. Më vjen keq që edhe ato pak vota të Alibeajt do të jenë vota të humbura".
