Rama me sipërmarrjen: Po ikën forca njerëzore, epoka e shfrytëzimit të punonjësve të mbyllet

Zgjidhjen për emigrimin e lartë te të rinjve, kryeministri Edi Rama e shikon te reagimi i vetë sipërmarrësve. Në takimin e parë me ta ai kërkoi rritjen e pagave jo vetëm minimale, por edhe trajtimin e tyre.

"Ka një vakum të krahut të punës."

Mungesa e fuqisë punëtore është alarmi që bizneset në Shqipëri kanë ngritur prej muajsh. Thirrjet kanë sjellë reagimin e qeverisë, ku kryeministri Edi Rama si shkak gjen pagat e ulëta.

E për këtë ka dhënë dhe një krahasim.

"Jeni në rolin e gomarit që thoshte: O Zot bëjë ëndërr se ujku nuk është duke më ngrënë! Ujku ka filluar t'ju hajë, kjo është shumë evidente."

Si zgjidhje në takimin me sipërmarrësit Rama dha jo vetëm rritjen e pagës minimale.

"Tani sipërmarrja po shikon se i ikën forca njerëzore dhe të gjithë po e shohin se si shtet më të zhvilluara janë futur me kokë për të zhvatur burimet njerëzore të kujt të munden.

Nëse një i ri ka mundësinë dhe perspektivën që duke u larguar ta gjejë punën diku tjetër, por sipërmarrja nuk mund ta bëjë këtë, duke qenë një sipërmarrje e ndërtuar këtu dhe për tregun këtu. Dilema është tani është të rrojnë apo të vdesin.

Prandaj duhen mbështetur punonjësit që edhe ata të rrojnë. Epoka e shfrytëzimit të punonjësve duhet të mbyllet. Dhe ne do të zhvillojnë këtë dialog si një proces kundër shfrytëzimit të punonjësve.

Marrëdhënie kapitaliste ne vendin tona për shumë vite kanë qenë të fokusuara tek shfrytëzimi dhe tek fitimet e padeklaruara. Kjo fazë është duke u mbyllur".

Trajtimi i punonjësve është një tjetër pikë e konsideruar prej tij delikate.

"Punonjësin shqiptar duhet ta vlerësojmë si sytë e ballit, ta ndihmojmë me çdo çmim."

Madje ai evidenton se bizneset shqiptare vlerësojnë më shumë punonjësit që marrin nga jashtë.

"Sipërmarrësit shqiptarë duhet ta kuptojnë se nuk mund ti japin gruas që pastron atje në Himarë e Dhërmi 300 mijë lekë se është nga vendi dhe pastaj marrin nga Bali e Filipinet dhe u japin nga 1000 euro."

Për studentët ekselentë dhe ata që marrin bursa,m Kryeministri premtoi që të marrin një pagësë prej 400 mijë lekësh që në momentin që nisin punën.