Iran, përgjaket festa, 11 të vdekur dhe 3500 të plagosur gjatë protestave kundër qeverisë

Në Iran, të paktën 11 persona u vranë dhe më shumë se 3,500 u plagosën në qytete të ndryshme mbrëmë në protestat e shpallura nga aktivistët gjatë festës Charshanbesuri, një festë tradicionale që bie në natën para të mërkurës së fundit para Vitit të Ri iranian.

Kështu deklaroi Jafar Miadfar, kreu i Organizatës Kombëtare për Emergjencat Mjekësore, duke folur në një fjalim në televizionin shtetëror për aksidentet e ndodhura gjatë festimeve.

Festa konsiderohet pagane nga shumica dërrmuese e klerit shiit dhe shefi i policisë kishte bërë të ditur se e konsideronte ngjarjen “të rrezikshme”.

Nuk është dhënë asnjë informacion për ndonjë arrestim. Gjatë festimeve, shumë njerëz protestuan kundër qeverisë në qytete të ndryshme anembanë vendit, duke përfshirë Teheranin, Isfahanin, Rashtin dhe Saqqezin.

Me rastin e Charshanbesurit, aktivistët kishin thirrur tre ditë protesta për të vazhduar demonstratat antiqeveritare që filluan në shtator pas vdekjes së Mahsa Amini, 22-vjeçares me origjinë kurde që humbi jetën pasi u arrestua nga policia morale sepse ajo nuk e mbante si duhet vellon.