Trupat ruse ndalojnë familjen ukrainase, vrasin prindërit, zhduket vajza 15 vjeçare

Një familje ukrainase u nis drejt Kievit si një vendbanim më i sigurt. Por rrugës fati i tyre ndryshoi. Prindërit u vranë nga forcat ruse ndërsa një nga vajzat rezulton e zhdukur. Kievi dhe Moska kanë shkëmbyer akuza për rrëmbimin e fëmijëve brenda territorit ukrainas.

Qytetarë të shumtë po detyrohen të lënë vendin e tyre si pasojë e luftës në Ukrainë. Këtij vendimi të detyruar nuk i shpëtoi edhe familja e Yatsiuk duke mos e ditur se për prindërit do të ishte udhëtimi i fundit.

Më pak se 10 milje nga vendi i nisjes së tyre drejt Kievit ata u ndeshën me një grup trupash ruse, të cilët hapën zjarr drejt makinës dhe më pas morën Arinën 15 vjeçare dhe motrën e saj 9 vjeçare Valeria nga selidja e pasme.

Arina e plagosur u fut në një makinë ndërsa Valeria u fut në një tjetër. Denys dhe Anna, prindërit e vajzave, u gjendën të vrarë.

Tezja e Arinës, Oksana Yatsiuk, tha për CNN se kanë qenë në kërkim të vajzës së zhdukur me shpresën që ajo të jetë gjallë.

"I dërgova letra zyrtare të gjitha objekteve mjekësore, Ministrisë së Shëndetësisë në Rusi, Bjellorusi dhe Ukrainë dhe përgjigja zyrtare që mora është se ajo nuk është regjistruar askund. Kam marrë gjithashtu një përgjigje zyrtare se Arina nuk është regjistruar duke kaluar kufirin," tha ajo.

Por 3 marsi 2022, ishte hera e fundit që dikush e pa Arinën. Ajo është një nga 345 fëmijët ukrainas që janë zhdukur që kur Rusia nisi luftën e saj në shkallë të gjerë kundër Ukrainës shkurtin e kaluar, sipas statistikave zyrtare të Ukrainës.

Qeveria ukrainase thotë se shumë nga fëmijët e zhdukur janë dërguar me forcë në Rusi. Nga ana tjetër Rusia nuk e mohon marrjen e fëmijëve ukrainas por pretendon se po i shpëton ata për ti strehuar.