Panariti: Blegtoria në rrokullisje, shkak skema absurde e qeverisë për pagesat

Anëtari i Kryesisë së Partisë së Lirisë, Edmond Panariti denoncoi situatën e rëndë të blegtorisë shqiptare.

Në një konferencë për mediat, Panariti theksoi se shkak i rrokullisjes së këtij sektori tejet jetik është një skemë absurde e pagesave e miratuar nga qeveria, e cila përjashton të vegjëlit dhe të mesmit.

“Rrokullisja e blegtorisë nga një skemë absurde e pagesave, e cila përjashton të vegjëlit dhe të mesmit. Kryefjala e pagesave për bujqësinë këtë vit, duhet të ishte blegtoria. Duhet të ishin pagesat e drejtpërdrejta për krerë. Duhet të ishin pagesat për çdo litër  qumësht të prodhuar. Sepse lopët të imtat po shkojnë drejt shfarosjes. Por asnjëra dhe as tjetra nuk po ndodh!

Ne sot kemi rreth 300 mijë krerë gjedhë nga 600 mijë disa vite më parë. Sepse blegtoria nuk mbështetet, nuk paguhet. Kjo, pasi skema e mbështetjes së blegtorisë, përjashton me një prag absurd dhe diskriminues financimi mbi 70% të fermave dhe blegtorëve tanë të lopëve.

Të cilat mbarështojnë nga 3 deri ne 10 lopë qumështi. Të cilat ushqejnë dhe mbajnë veten e familjet e tyre dhe furnizojnë baxhot, tregjet dhe bujtinat përreth. Që mbajnë të populluar fshatin dhe vendin.

Kjo skemë përjashton nga pagesat  80 përqind të fermave të deleve dhe të dhive të cilat mbarështojnë mesatarisht 40 dele dhi. Sepse pragu diskriminues prej 100 krerë i pagesave, i lë ata pa asnjë qindarkë pagese.

Këta që janë në fakt motori dhe shtylla e blegtorisë shqiptare nuk paguhen dhe janë të përjashtuar dhe të diskriminuar nga qeveria. Kështu që skema e mbështetjes së blegtorisë, e cilësuar si kombëtare, në fakt është antikombëtare. Sepse nuk je kombëtar kur lë jashtë mbështetjes dhe përkrahjes 70% të blegtorisë së vendit.

Rishiheni dhe ktheheni përmbys këtë skemë përjashtuese, dikriminuese. Hiqjani asaj dyshemetë dhe tavanet absurde dhe hapuni rrugën e mbështetjes dhe të përfitimit për mëse 70 përqind të fermave blegtorale të cilat tani janë të përjashtuara nga subvencioni. Por për këtë duhet të pesëfishoni të paktën fondet për blegtorinë për t’ju afruar mesatares së rajonit”, theksoi Panariti.