Bastisja izraelite me 9 të vrarë, sulmi më vdekjeprurës në kampin e refugjatëve Jenin në 2 dekada

Sulmet vdekjeprurese të forcave izraelite në kapin e refugjatëve në Jenin kanë rritur frikën për shpërthimin e një konfliti të ri me palestinezët.  Ushtria izraelite thotë se e kreu bastisjen për të arrestuar militantët e Xhihadit Islamik që po planifikonin sulme të mëdha, por mësymja la pas nëntë të vrare mes tyre dhe civilë

Forcat izraelite vranë nëntë palestinezë dhe plagosën disa të tjerë në qytetin Jenin të Bregut perendimor. Trupat ushtarake rrethuan ndërtesat mes të shtënave me armë, granata dhe gaz lotsjellës në kampin e refugjateve.

Zyrtarët palestinezë thonë se dy nga të vdekurit ishin civilë, duke përfshirë një grua 61-vjeçare . Ushtria izraelite thotë se trupat e saj hynë për të arrestuar militantët e Xhihadit Islamik që planifikonin "sulme të mëdha".

Forcat izraelite nuk raportuan të lënduar nga ana e tyre, por thanë se ishin në dijeni të "pretendimeve në lidhje me viktima të tjera gjatë shkëmbimit të zjarrit" dhe po hetonin. Mediat ndërkombëtare në raportimet e tyre thanë se bëhet fjale për një nga sulmet më vdekjeprurëse në 2 dekada.

Kryeministri i Autoritetit Palestinez Muhammad Shtayyeh u bëri thirrje Kombeve të Bashkuara dhe Organizatave Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut që "të ndërhyjnë urgjentisht për të ofruar mbrojtje ... dhe për të ndaluar gjakderdhjen e fëmijëve, të rinjve dhe grave".

Sekretari amerikan i Shtetit Anthony Blinken mbërrin në Izrael të hënën, ndërsa vendi po përjeton protesta masive kundër qeverisë më nacionaliste në historinë e saj. Blinken thotë  se dëshiron të "ruajë" zgjidhjen me dy shtete - formulën ndërkombëtare për paqen.