Përse sondazhi bashkon opozitën

Zgjedhjet janë afër. Shoh si domosdoshmëri për opozitën, që këto zgjedhje të dalë e unifikuar, me një kandidat të vetëm. Së pari, duhet kuptuar që emëruesi i përbashkët i grupimit opozitar, është beteja për të mundur Edi Ramën.

Kjo është thyesa e përbashkët ku duhet të ngjitet opozita. Kush është më i madhi apo më i forti, këtë e tregon proporcionali për këshillin bashkiak. Kryesorja këtu është që kandidati për kryetar bashke, të jetë një i vetëm. Nëse në zgjedhje shkohet me më shumë se një kandidat, atëherë rrezikojmë fragmentarizim të votës.

Përse propozoj sondazhin:

Ne jemi të ndryshëm në ide dhe fundja, kjo është demokracia. Gjërat që janë njësoj, puqen nga natyra vetë. Objektivi i opozitës, është që të kalojë ambiciet personale dhe të bashkohet në një kauzë të vetme, që në këtë rast, është beteja ndaj regjimit të Edi Ramës.

Primaret, janë një proçes shumë i mirë por që mbeten brenda partisë. Për të fituar, duhet kaluar përtej bazës së partisë. Duhen përfshirë socialistët e moderuar, të cilët nuk pajtohen me regjimin e Ramës, njerëz nga bota e arsimit, shoqëria civile, të rinjtë të cilët janë të lodhur dhe të papërfaqësuar nga ky sistem pra, duhet krijuar metoda se si njerëzit të dalin masivisht për të votuar.

Avantazhi i opozitës është që të vendosë njerëz të rinj që mbi të gjitha janë të ndershëm që nuk mbajnë mbi supe korrupsionin e kësaj qeverie. Sondazhi e jep këtë mundësi. Të gjithë forcat politike, propozojnë kandidatët e tyre dhe më pas këto kandidatë, të hyjnë në sitën e sondazhit.

Sondazhi tregon se kë do populli. Sot ka kompani botërore të cilat merren me këtë punë. Pozitivja këtu qëndron se kjo formulë e heq vendimmarrjen e partisë dhe ia delegon qytetarëve.

Kjo është votë përtej primareve të partisë, një mënyrë që paraqet dhe mendimin e elektoratit gri, i cili, është vendimtar për të fituar zgjedhjet. Kandidatët që zgjidhen nga populli, kanë mundësinë të afirmohen në debat publik dhe fare mirë, mund të shërbejnë si telajo e re e politikës që do udhëheqë aksionin opozitar, deri në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Në këtë mënyrë, opozita, ka mundësinë për të riformatuar veten e saj, të krijojë një elitë të re politike, të formësojë ide të reja, përtej kryetarokracisë dhe të kthehet në një alternativë serioze për tu kthyer në pushtet.