Ekonomia nis pikiatën, Biznesi nuk ka besim
Bizneset kanë nisur të shkurtojnë vendet e punës për të përballuar krizën ekonomike. Banka e Shqipërisë raporton rënie të besimit, kjo si pasojë e numrit të kontratave të porosive. Sa i përket konsumatorët rezulton se situata ka mbetur e njëjtë, por se parashikohet rënie e të ardhurave dhe rritje të çmimeve
Kriza e luftës Rusi-Ukrainë dhe rritja e çmimeve ka sjellë dhe një rënie të besimit si te bizneset dhe te konsumatori në Shqipëri.
Në raportin e Bankës së Shqipërisë theksohet se treguesi i ndjesisë ekonomike pësoi një tkurrje me 2.5 pikë.
Më të prekur janë sektorët e industrisë, ndërtimit, shërbimet dhe tregtisë.
Më konkretisht industria e prodhimit duket në vështirësi me një zhvlerësim prej 3.2 pikësh sa i përket besimit. Shkak mbetet situata aktuale e realizimit të produkteve por edhe bilanci i kontratave të prorosisë.
Çmimet sipas parashikimit të biznesmenëve do të vazhdojnë të rriten ndërsa punësimi në këtë sektor parashikohet të ketë një rënie të lehtë.
Ndërtimi parashikohet të jetë më i qëndrueshëm edhe pse besimi ka rënë me 1.9 pikë. Edhe këtu ndikon kontrata porositëse. Por në këtë sektor banka nënvizon se rënie regjistruan pritjet për punësimin, por edhe ato për çmimet, pas rritjes së dukshme të muajit paraardhës.
Shërbimet duket se janë ato që kanë peshën më të madhe. Në periudhë krize familjet kursejnë më shumë në këtë sektor, ndaj dhe rënia e besimit shkoi në 6.1 pikë.
Banka e Shqipërisë e argumenton me performancën e dobët të treguesve të ecurisë së biznesit dhe kërkesës për shërbime.
Zgjidhje për të përballuar situatën ka mbetur shkurtimi i stafit i cili rezulton i ndjeshëm.
Edhe tregtia nuk është në kahun optimist duke shënuar rënie të lehtë për dy muaj me radhe edhe pse me 0.5 pikë
Në raportin e Bankës thuhet se pritjet për ecurinë e biznesit në muajt e ardhshëm dhe punësimin janë në dobësim, krahas pritjeve për çmime në rritje.
Treguesi i besimit konsumator rezultoi me vlerë thuajse të njëjtë. Nga ana tjetër, thuhet në dokument, situata e tyre financiare dhe gjendja e përgjithshme e ekonomisë në të ardhmen paraqitet në rënie.
