Hero që nuk duhej
Anri nuk të njihja, por më trishtoi pafund humbja e jetës tënde.
Më trishtoi sepse është nga ato humbje jete që vijnë nga mungesa e zbatimit të ligjit të robit dhe jo prej Zotit.
Më trishtoi se vdekja jote provoi që ti i'a dole të shpëtoje 2 njerëz të tjerë, por mbete vetë viktimë.
Më trishtoi sepse nëse do ishte zbatuar ligji aty do kishte një roje plazhi të mirëtrajnuar dhe të pajisur me mjetet e nevojshme të shpëtimit të jetës.
Më trishtoi se ikin çdo vit njerëz nga kjo papërgjegjshmëri ndaj ligjit dhe askush nuk mban përgjegjësi.
Më trishtoi se drejtuesit e shtetit në vend të kërkonin falje e të kërkonin vënien para përgjegjësisë së kujtdo që nuk e zbatoi ligjin, u mjaftuan të të shpallin "Hero" në Facebook.
Akti jot ishte heroik patjetër, por për mua ti kurrë nuk doje të ishe Hero, je thjeshtë viktimë e një shteti që nuk zbaton ligjin që vetë ka miratuar.
Je viktimë e një politike që jeton duke ngrënë jetët tona.
Je viktimë e një shoqërie që e shikon përditë moszbatimin e ligjit, por nuk bëzanë se e pranon paligjshmërinë si diçka normale.
Personalisht jam në luftë në gjykatë prej 4 vitesh me Shtetin Shqiptar për të mbyturit në det nga mungesa e zbatimit të ligjit në bregdet. Nuk do ndalem deri në Strasburg për këtë ligësi e moszbatim ligji.
Një vend qesharak ku nisesh për të pushuar në det e kthehesh në viktimë për arsye krejt banale.
Anri, të pastë Zoti pranë! Do i mungosh familjes e atyre që të deshën.
Këtyre që të thanë "Hero", jo. Këta në një farë mënyre ishin shkaktar të humbjes së jetës tënde.
