Heshtja impozante ndaj deklaratës së Ramës "Serbisë nuk duhet bërë presion për t’i vendosur sanksione Rusisë"

Paramendojeni çka do të ndodhte sot në Kosovë po të dilte një kryeministër i Kosovës dhe të thoshte se Serbisë nuk duhet bërë presion për t’i vendosur sanksione Rusisë. Do ta shpallnin antiamerikan, antikosovar, antishqiptar, antiperëndimor, antikombëtar, anti...

Tash që këtë e tha kryeministri i Shqipërisë, heshtja është impozante. Nuk ka qëndrim pushteti, por nuk kanë qëndrim as partitë opozitare PDK, LDK, AAK.

Pushteti nuk flet sepse ndërkohë është hidhëruar me kryeministrin në Tiranë, i cili dikur e pati quajtur VV-në “pasuri kombëtare” (sic!). Opozita e Kosovës hesht sepse e konsideron aleat kryeministrin e Shqipërisë në betejën politike në Kosovë. Për shembull për LDK-në tani kryeministri në Tiranë është partner, para disa viteve LDK pati dalë nga salla e parlamentit të Kosovës e pakënaqur me fjalimin e kryeqeveritarit nga Tirana.

Atëherë VV priste te dera e Kuvendit derisa të mbarojë himni i Kosovës, pastaj u fut në sallë për të dëgjuar fjalimin e kryeministrit nga Tirana, i cili tha solemnisht se Kosova dhe Shqipëria do të kenë një president të përbashkët. Politika shqiptare është operetë shurdhuese.