Abuzimi me grantet e rindërtimit, SPAK merr të pandehur Adminstratorin e Njësisë Petrelë në Tiranë
Administratori i Njësisë Petrelë pranë Bashkisë Tiranë, është marrë i pandehur nga Prokuroria e Posaçme SPAK.
Sokol Kupi, akuzohet nga njësia antikorrupsion në SPAK, për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”, pasi gjatë ushtrimit të funksionit të tij, ka lejuar në mënyrë të qëllimshme dhe të paligjshme, dosjet për përfitimin e granteve ekonomike.
I pandehur është marë dhe Arlind Muxhiu dhe Fatjon Haxhiu, të akuzuar për “Ushtrim të ndikimit të paligjshëm ndaj funksjonarëve shtetërorë”. Ndërsa Dhimitër Papa dhe Kristaq Kali, janë marë të pandehur për akuzën e “Falsifikimit të dokumentave”.
Nga provat e deritanishme ka dyshime të arsyeshme, të bazuara në prova, se ata kanë ndërhyrë tek punonjësit e Institutit të Ndërtimit, Njësisë Administrative Petrelë në varësi të Bashkisë Tiranë.
"Qëllimi ishte ndryshimi i aktit të konstatimit fillestar dhe aktit të ekspertizës së thelluar për një banesë në pronësi të tyre, me qëllim rritjen e klasifikimit të nivelit të dëmeve, duke paguar për këtë akt të falsifikuar, shumën prej 2000 euro, banesë që në fakt ishte prishur me parë nga IKMT-ja si pasojë e shpronësimit për interes publik me kërkesë të OST-së”, thuhet në dosjen e SPAK.
Të pandehurit e kanë paraqitur atë si një banesë të dëmtuar nga tërmeti me qëllim për të përfituar fondet.
Në kryerjen e këtyre veprimeve SPAK thotë se të pandehurit, janë ndihmuar nga funksionari i Njësisë Administrative Petrelë, Sokol Kupi, njësi e cila nuk ka vendosur skualifikimin e subjektit, por ka përcjellë praktikën përkatëse për këtë subjekt pranë Bashkisë Tiranë, me qëllim përfitimin në fillim të grantit dhe më pas të lejes së ndërtimit.
